Vrau djalin se shkoi në dasmë te daja, babai nuk pendohet
Dy ditë pas vrasjes së ndodhur në një fshat të Beratit, autori i ngjarjes është marrë në pyetje nga uniformat blu të këtij qyteti ku ka treguar sesi ka ndodhur ngjarja. Sipas burimeve zyrtare të policisë së këtij qyteti, Yzeir Cjapi ka treguar edhe një herë për policinë atë që ndodhi ditën e vrasjes dhe pse kishte vendosur që të vriste djalin e tij. “Unë u kisha thënë fëmijëve që të mos venin në dasmë dhe ata thyen urdhrin tim. Me dajën e fëmijëve kemi vite që nuk flasim, prandaj nuk kishte kuptim që ata të shkonin në dasmë”, rrëfeu autori i krimit brenda familjes. Por edhe pse kishin kaluar 8-orë nga ngjarja e së shtunës, duket se ai nuk është shfaqur aspak i penduar për ngjarjen. “Kam shkuar me ndërgjegje për atë që bëra, sepse fëmijët nuk më dëgjuam, prandaj qëllova mbi djalin”, ka deklaruar autori 65-vjeçar.
Ndërsa lidhur me marrëdhëniet që kishte mes dy familjeve, autorit Yzeir Cjapi dhe kunatit të tij, vëllait të gruas, mësohet se ai ka thënë se mes tyre ka pasur probleme familjare të cilat ishin akumuluar gjatë viteve. “Që kur jam martuar me gruan time nuk kam shkuar mirë me kunatin, kështu që nuk i kam lejuar fëmijët që të shkonin te daja i tyre për sebepe, por duket se ata nuk donin të më dëgjonin, prandaj kreva dhe vrasjen”.
Pas krimit, autori i ngjarjes ishte ngujuar në shtëpinë e tij dhe më pas policia kishte hyrë në negociata me të për t’u vetëdorëzuar. Më pas ai është dërguar në dhomat e paraburgimit të Beratit në pritje të masës së sigurisë.
Vrasja
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Arrëz në komunën e Poshnjes në Berat, kur 65-vjeçar Yzeir Cjapi ka vrarë me armë zjarri djalin e tij duke e lënë të vdekur në vend, ndërkohë që ka plagosur dy të tjerë. Vullnet Cjapi, 36 vjeç, mbeti i vdekur në vend, ndërsa daja dhe nusja e dajës së tij u plagosën nga 65-vjeçari. Aktualisht të plagosurit ndodhen në spitalin rajonal të Beratit, jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve të policisë, shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë është bërë një grindje mes babait dhe djalit. 65-vjecari i kishte ndaluar të birit të shkonte në dasmën e vajzës së dajës për shkak se ishte grindur me familjen e kunatit. Yzeir Cjapi e ka pritur të birin të kthehej nga dasma dhe ka filluar të konfrontohet me të për shkakun se nuk kishte respektuar urdhrin e dhënë.
Në ndihmë të viktimës ka ardhur edhe daja me bashkëshorten, por që nuk kanë mundur dot të ndalin krimin e rëndë. 65-vjeçari ka nxjerrë çiften, të cilën e mbante në banesë dhe ka qëlluar me të në drejtim të djalit, duke e lënë të vdekur në vend, ndërkohë që ka plagosur edhe dajën e viktimës dhe gruan e tij.