Vitore Stefa Leka titullohet “Qytetare Nderi”
Vitore Stefa Leka është bijë e një familjeje qytetare beratase, të shquar për patriotizëm dhe ndjenja humane. I ati i saj, profesor Kostaq Stefa, “Martir i Demokracisë”, u pushkatuar padrejtësisht në vitin 1948, me akuzën e pavërtetuar kurrë si: “agjent i amerikanëve”. E ëma mban titullin e lartë “Mësuese e Popullit”.
Që prej muajit shtator të vitit 1990 Vitore Stefa Leka jeton në qytetin italian të Triestes. Dëshmi e respektit për bamirësinë dhe humanizmin e saj është konsiderimi “Nënë Tereza e Triestes”, një cilësim ky i pranuar zyrtarisht edhe prej autoriteteve lokale të qytetit të Triestes, të cilët e kanë zgjedhur anëtare të Këshillit të Emigracionit në Komunën e Triestes. Motoja e veprimtarisë së zonjës Stefa mbështetet në sentencën “Sot, ne shqiptarët duhet të jemi të bashkuar, t'i harrojmë hakmarrjet dhe përçarjet, nuk duhet të rrimë me kokën prapa”. Përveçse një aktiviste humane, Vitore Stefa Leka është edhe krijuese letrare. Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, e njohur si poete dhe prozatore, me disa botime të suksesshme. “La Liberta” dhe “Poezi që merr frymë pas pushkatimit”, janë vëllimet me poezi të botuara në vitin 1992, për t’u ndjekur nga një tjetër vëllim me poezi i botuar në vitin 1995, me titull “Jetoj Ringjalljen”. Në vitin 2004 botohen dy libra të tjerë të saj, përkatësisht “Vetmi e largësisë”, vëllim me poezi dhe “Plagë Shpirti”, tregime. Librat e krijueses beratase, Vitore Stefa Leka, tashmë edhe “Qytetare Nderi”, përveçse në Shqipëri-Kosovë e Maqedoni e kanë gjetur rrugën e botimit në Itali, Rumani e Bullgari.
Që prej dy vjetësh është anëtare nderi e Bashkimit të shoqatave shqiptaro -arbëreshe, me seli në Rimini. Në Kongresin e Parë të Lidhjes Shqiptare në Botë, që u mbajt në Prizren, më 26-27 Nëntor të vitit 2001 është zgjedhur anëtare e Këshillit Kombëtar të kësaj lidhjeje. Ndërkohë, nga ish-presidenti, Alfred Moisiu, është dekoruar me Medaljen e Artë të Mirënjohjes, për punën e saj humane dhe veprimtarinë patriotike, të ushtruar në këto 17- vjet emigracion.