E Diel, 1 Nëntor 2026

Restaurohet fyelli kockor, një zbulim i rrallë arkeologjik

Ekspedita e përbashkët shqiptaro-gjermane, e cila gjatë vitit 2009 po kryente gërmime arkeologjike në zonën historike të Lezhës, zbuloi ndër të tjera disa elementë kockorë, enigmatikë, cilindrikë dhe me një ose dy vrima. Në fakt edhe një vit më parë ishin zbuluar disa fragmente pranë të njëjtës zonë. Që në momentin e zbulimit u ngrit një pikëpyetje për domethënien e tyre.

Mendimi paraprak ka qenë se këto fragmente kockash i përkisnin një instrumenti muzikor, ndoshta një fyelli. Në tetor të vitit të kaluar të gjitha fragmentet u sollën në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Deri tani është harxhuar për restaurimin në fjalë një kohë prej më se pesë muaj. Të gjitha fragmentet kockorë ishin të mbuluar nga balta. Sipas drejtuesve të ekspeditës, arkeologët nuk kishin guxuar të bënin pastrimin e tyre, sepse fragmentet e kockave ishin dëmtuar shumë në tokë, nga ujërat ose nga ndonjë djegie dhe ishte vetëm balta ajo që i mbante për të mos u shpartalluar plotësisht. Gjatë punës restauruese dolën shumë të dhëna, p.sh. ishte përdorur fyelli i kockës; pjesa e jashtme e fragmenteve ishte rrumbullakosur me torno, zbukurimi ishte prej dy ose tre rrathëve që qarkonin pjesën, edhe këto të bëra me torno; brimat ishin shpuar me punto; nganjëherë puntoja ishte futur aq thellë, sa që kishte prekur edhe murin e pasmë. Tashmë duken mirë shenjat e lëna nga instrumentet e përdorura. Në disa raste sipas specialistëve vihet re një ulluk i sheshtë, që lidh vrimat por që akoma nuk e kemi përcaktuar funksionin. Në disa raste shohim se kocka është sharruar në dy pjesë në drejtimin gjatësor. Interesante është se cilindrat nga brenda nuk janë të tornuar por kanë mbetur me gunga. Ky fakt lind pikëpyetjen e parë: a ka qenë fyell? Më tej na lind mendimi se këto pjesë kanë qenë të papërfunduara, pra ato janë skarcitete të një punishteje, që ndoshta prodhonte instrumente muzikorë të asaj kohe. Sipas arkeologëve kemi të bëjmë me një gjetje që i takon shek I para Krishtit ose shek I mbas Krishtit, pohon Frederik Stamati drejtues i Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë. Më tej ai vijoi të tregojë se është interesante të përmendet se në vitin 1975 është zbuluar rastësisht në Apoloni një grumbull fragmentesh kockorë pranë një kusie të djegur, me disa ngjashmëri me këtë rast. Sipas tij puna po vazhdon akoma, jo vetëm për restaurimin maksimal por edhe për të përcaktuar llojin e kockës, moshën ekzakte dhe për të kuptuar domethënien e kësaj gjetjeje. Puna mbi pesë mujore, vërtet një punë e mirë ngre edhe njëherë problemin e restaurimit të objekteve muzealë. Në se duhet kaq shumë kohë për një objekt, atëherë çfarë do të bëhet me objektet e tjerë arkeologjikë dhe etnografikë, që presin radhën dhe janë në procesin e dekompozimit? Laboratori aktualisht ka në organikën e tij vetëm dy punonjës dhe edhe njëherë lind kërkesa urgjente për forcimin e laboratorit me kuadro të tjerë të diplomuar në kimi dhe që janë të aftë për të përballuar këtë punë, përfundon Stamati, drejtuesi i Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë. E ndërkohë që dhe në disa raste të tjera ai e ka përmendur që në laborator duhet një ndërhyrje urgjente, e cila synon më shumë mjete laboratorike, por dhe specialistë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›