VV: Refuzojeni PDK'në
Ata, gjatë një konference të sotme për shtyp, duke i komentuar shkrimet e fundit në media për një koalicion të ri të mundshëm në mes të PDK dhe AAK-së, apo edhe të partive të tjera, kanë ftuar të gjitha partitë opozitare në Kosovë që të mos bëhen pjesë e qeverisjes me PDK-në.
Sipas Vetëvendosjes, PDK është në kërkim të një koalicioni të ri dhe kjo po bëhet për tri gjëra: dhënien e autonomisë për veriun e Mitrovicës, shitjen e Trepçës dhe të PTK-së.
Glauk Konjufca, nwnkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, duke e komentuar koalicionin e mundshëm në mes PDK-së dhe AAK-së, ka thënë se kjo po bëhet në mënyrë që t’i jepet autonomia veriut të Kosovës dhe jo për ndonjë interes të Republikës së Kosovës.
“Kohëve të fundit, nëpër pothuajse të gjitha mediat e Kosovës është spekuluar për një koalicion të ardhshëm PDK-AAK. U fol po ashtu se një koalicion të tillë po e kërkojnë edhe ndërkombëtarët, ashtu që kjo strukturë politike t’ia jep veriut të Kosovës autonominë. Lëvizja Vetëvendosje iu bën thirrje të gjitha subjekteve opozitare të mos i bashkohen PDK-së në një koalicion të korruptuar qeverisës i cili do të krijohet për t’ia dhënë veriut autonominë e kontrolluar nga Beogradi”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se sa më shumë po afrohen negociatat e Qeverisë sonë me Beogradin për veriun e Kosovës, aq më shumë po ka probleme koalicioni qeverisës aktual. Sipas tij, kur është puna te korrupsioni, te keqpërdorimi i parasë së qytetarëve taksapagues, apo te manipulimi i tenderëve, Qeveria dhe PDK-ja nuk kanë nevojë për partneritet të fortë, por këtë gjë e bëjnë më së miri vetë dhe kur është puna te negociatat me Beogradin, Qeveria e lyp ndarjen e përgjegjësisë dhe sipas Konjufcës, PDK-ja po e kërkon partnerin e ardhshëm për kompromisin që do ta bëjë për veriun e Kosovës.
Ai shtoi se Kosova nuk ka nevojë për një Qeveri që bën kompromise për territorin e vet, por Republika e Kosovës ka nevojë për një bashkim të fuqishëm opozitar dhe mbarëshoqëror deri në shfuqizimin e mandatit të kësaj qeverie aktuale, dhe jo t’i ndihmojmë asaj në qëllimet dhe projektin e saj të dëmshëm.
Sipas tij, kushdo që i bashkohet një qeverie të tillë duhet ta dijë se po i bashkohet për tri gjëra: për të bërë pazare për veriun, për ta shitur Trepçën dhe për ta shitur PTK-në.
Ai tha se opozita nuk ka nevojë ta shpëtojë një qeveri të korruptuar, e cila nuk po e shpëton dot Kosovën nga papunësia, varfëria dhe problemet sociale dhe, siç tha ai, kushdo që i bëhet patericë kësaj Qeverie dhe Kryeministrit Thaçi nuk mund ta justifikojë një gjest të tillë me interesin e Kosovës, por vetëm me interesin e vet personal, apo shantazhin ndërkombëtar.
Ai foli edhe për vizitën e Ban Ki-Moon'it në Kosovë, duke thënë se ai nuk na i njeh institucionet tona politike, ai e njeh vetëm Manastirin e Deçanit që ia kanë falë Serbisë, dhe sipas tij, Ban Ki Muni nuk erdhi në Qeveri dhe Presidencë, por Qeveria dhe Presidenca shkuan në Aeroport.
Kurse kreu i kësaj lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kritikoi Qeverinë e Kosovës, duke thënë se çdo ditë që kjo qeveri qëndron në pushtet, qytetarët e Kosovës humbin pjesë nga pavarësia e shtetit, humbin pjesë të pasurisë publike, humbin pjesë të buxhetit të Kosovës.
“Çdo ditë që kjo qeveri qëndron në pushtet, qytetarët e Kosovës humbin pjesë nga pavarësia e shtetit, humbin pjesë të pasurisë publike të Kosovës, humbin pjesë të buxhetit të Kosovës dhe humbin pjesë të territorit të shtetit tonë. Çdo orë që kjo qeveri qëndron në pushtet, qytetarët humbin gjasat që një ditë Kosova të bëhet shtet normal, sovran dhe i zhvilluar ekonomikisht”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se të gjithë e dinë se marrëveshja Pacolli-Thaçi-Mustafa tashmë është zhvlerësuar dhe ka shfaqur besim të jetë bërë e qartë edhe për LDK-në që ajo nuk ia ka shkurtuar mandatin kësaj qeverie në dy vjet e gjysmë, por në fakt, sipas tij, u vërtetua qëndrimi i drejtë i Lëvizjes Vetëvendosje se ajo marrëveshje nuk ishte as institucionale dhe as kushtetuese dhe se nga ajo përfiton Thaçi e jo Kosova.
Kurti tha se pa atë marrëveshje dje, nuk do të kishte qeveri Thaçi 2 dhe pa një koalicion të ri të PDK-së nuk mund të ketë shitje të PTK-së e Trepçës dhe as autonomi për veriun. Prandaj, në këtë drejtim, Kurti iu ka bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe secilit prej tyre që të mos bëjnë negociata me Thaçin dhe PDK-në për koalicion qeverisës me të.
Kurti ka folur edhe për bisedimet me Serbinë, duke e quajtur atë si tryezë e ngrënies, në të cilën, sipas tij, po e hanë Kosovën.
“Tryeza e bisedimeve me Serbinë është tryezë e ngrënies. Aty po e hanë Kosovën. Kryeministri Thaçi po e han Kosovën si buxhet dhe pasuri publike e natyrore. Serbia po e han Kosovën si territor dhe si shtet. Në këtë tryezë Kosova kurrsesi s’mund të jetë subjekt por veçse objekt. Dialogu me Serbinë për veriun e Kosovës është dialog për krimin dhe dialog me krimin”, ka thënë ai.
Më tej Kurti ka thënë se është koha e fundit që edhe subjektet e tjera opozitare ta nënshkruajnë mocionin e mosbesimit ndaj kësaj Qeverie, që sipas tij, është rruga e drejtë dhe e duhur përpara, e jo negociatat për koalicione të reja qeverisëse që e shpëtojnë kryeministrin duke e copëtuar e shitur Kosovën.