E Martë, 3 Nëntor 2026

Dëmtohen vreshtat në Maliq/ Lagështia ka sjellë ndikim negativ në bujqësi

Lagështia e tepruar e këtij viti dhe luhatja e herë pas hershme e temperaturave, solli efekte negative në bujqësi. Fermerët nuk arritën dot të mbronin prodhimin e në disa kultura, humbjet ishin të konsiderueshme. Në bashkinë Maliq dëmet më të mëdha janë shënuar në vreshtari, në patate dhe grurë.

“Kemi arritur të minimizojmë, sepse një pjesë e masave siç janë ato agroteknike dhe ato kimike i kanë në dorë të fermerët”, thotë Arben Dunelellari, Drejtor i Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në bashkinë Maliq.

Nga ana tjetër, fermerët e zonës pohojnë se dëmet ne vreshta janë të konsiderueshme. Zaim Çeçi ka një sipërfaqe prej 6 HA të mbjellë me rrush të disa varieteteve, të cilin më pas e përpunon për të prodhuar verë dhe raki.

“ Megjithëse ne  i trajtojmë shumë mirë me ilaçe u dëmtuan shumë, u dogjën nga sëmundjet”, thotë fermeri Zaim Çeçi.

Po ashtu edhe për fermerin Altin Çeçi dëmtimet nga sëmundjet në vreshta kanë qenë të konsiderueshme pavarësisht trajtimeve kimike të shtuara, çka përkthehet edhe në kosto të rritur për fermerin

“Këtë vit është shumë dobët prodhimi i rrushit prej lagështisë”, thotë fermeri Altin Çeçi.

Në bashkinë Maliq janë rreth 160 HA me vreshta. Gjatë muajit qershor ato u dëmtuan edhe si pasojë e reshjeve të breshrit që përfshinë zonën, ku dëmet më të mëdha ishin në fshatrat Vreshtas dhe Nizhavec, ku fermerët humbën mbi 20% të prodhimit të pritshëm në vreshtari.

Gazetar G. Sali

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›