E Martë, 3 Nëntor 2026

Shkodra, mundësi për zhvillimin e turizmit të biçikletave

I njohur si “qyteti i biçikletave” Shkodra po shikon mundësinë që ta zhvillojë si atraksion turistik.
 
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci priti në takim ambasadorin e Holandës, Reinout Vos.

“U ndalëm në projektet në bashkëpunim mes Holandës e Shkodrës në fushën e arkitekturës dhe menaxhimit të përmbytjeve dhe mundësitë për rritjen e pranisë së investitorëve holandezë në territorin e bashkisë sonë”, tha Beci.

Në Shkodër biçikleta vazhdon të jetë një mjet lëvizjeje i preferuar dhe mjaft i përdorshëm nga qytetarët. 

Ky qytet është i përshtatshëm për turizmin e biçikletave, kjo për arsye të terrenit të përshtatshëm dhe të traditës së tyre në përdorimin e biçikletave.

Historia tregon se ishte viti 1907, kur në Shkodër u pa të lëvizte biçikleta e parë. Në vitin 1915, policia e qytetit u pajis me biçikleta dhe ushtronte detyrën e saj duke përshkruar rrugët me biçikleta.

Në vitin 1920 një grup qytetarësh shkodranë, vendosën të krijonin sportin e çiklizmit. 

Rrethi i parë çiklistik, që është edhe i treti në Europë për nga vjetërsia, pas Francës e Italisë, është organizuar pikërisht në Shkodër. 

Nga fundi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur Shkodra rreth 60.000 banorë, ka të dhëna të plota se në qytet numëroheshin mbi 10.000 biçikleta. 

Shkodra ka disa rekorde sa i takon biçikletës, psh biçikleta e parë dyshe hyri në Shkodër, sikundër pati edhe numrin më të madh të dyqaneve të shërbimit për riparimin e tyre.

Zhvillimi i turizmit të biçikletave, shpresohet ti japë jetë një dashurie të vjetër shkodrane. 

/ rtsh /

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›