Demtohet Rruga e Kombit

Hapja e kalimeve të palejuara përgjatë autostradës Milot-Kalimash është kthyer në një shqetësim, duke rritur mundësinë për aksidente përgjatë këtij aksi të rëndësishëm rrugor. Thuajse të gjithë fshatrat që ndodhen në të dy anët e kësaj autostrade kanë një dalje provizore në rrugë, si edhe për të kaluar nga njëra anë e autostradës në tjetrën, pasi janë hequr trafikndarëset dhe barrierat mbrojtëse të saj. Këto dëmtime janë një rrezik serioz për aksidente, ndërsa ende nuk është ndërhyrë për të vënë nën kontroll këtë situatë. Edhe gjatë momentit te xhirimeve me kameran e “ABC News” në afërsi të Repsit, konstatohen lehtësisht mjete që kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, duke rrezikuar jetën e udhëtarëve në to, por edhe në mjetet e tjera që lëvizin përgjatë autostradës. Hapja e kalimeve të paligjshme është bërë nga banorët e zonës, të cilët vazhdojnë zgjerimin e hyrje daljeve dhe heqjen e trafikndarësve, por deri më tani nuk ka patur asnjë të penalizuar për këtë problem. Aktualisht janë krijuar 6 hyrje dalje të reja që nuk kanë asnjë autorizim, ndërsa po kështu edhe kalimi i mjeteve mespërmes autostradës ndodh në 3 pjesë të saj, në Reps, Orosh dhe në afërsi të Fanit. Në këto kushte shumë segmente të autostradës janë kthyer në një rrezik si për banorët e zonave përrreth që përdorin këto hyrje dalje të paligjshme , ashtu edhe për drejtuesit e mjeteve, po të kihet parasysh edhe shpejtësia e madhe e lëvizjes së tyre që varion nga 90 në 110 km në orë.