Dëmtohet Visoka, anulon duelin e 19 majit

- Xhavit Visoka duhet ta anulojë duelin e 19 majit për shkak të një lëndimi që ka pësuar gjatë përgatitjeve që ishte duke i zhvilluar para këtij meci. 34-vjecari që ka një bilanc prej tre fitoresh në ringun profesionist, ku ka debutuar në shkurt të këtij viti, është dëmtuar në gju dhe në ditët në vazhdim do të mësojë nga mjekët se kur do të mund të rikthehet në ring.
Visoka kishte menduar që duelin e 19 majit ta shfrytëzonte si një provë të mirë para duelit që do të zhvillojë në Budapest të Hungarisë më 16 qershor, ku ai mendohet të boksojë në një nga paramecet e mbrëmjes ku hungarezi Zsolt Erdei do të mbrojë titullin e kampionit të botës në kategorinë gjysmë të rëndë në versionin WBO ndaj amerikanit George Blades, si dhe turko-gjermani Firat Arslan që do të luftojë për titullin e kampionit të botës në versionin WBA për peshën "cruiser".