E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohet kulla e Turanit

Monumente në rrezik

E ndërtuar në zonën fushore të Korçës, në shekullin XVII, e përdorur për banim, por edhe për luftim, kulla e Turanit është një monument kulture që mbart karakteristika të rralla. Kushtet atmosferike, por edhe mungesa e ndërhyrjes, i kanë shkaktuar dëmtime të shumta. Specialistët pohojnë nevojën e ndërhyrjes për të shmangur ndonjë shembje të mundshme

Korça është një nga qytetet që po vuan rrënimin e shumë monumenteve të kulturës si në qendrën urbane, ashtu edhe në periferi. Kulla e Turanit është një prej tyre. Ndonëse jo një monument që tërheq vëmendjen e turistëve, kjo kullë e ndërtuar në zonën fushore në shekullin XVII, është një objekt me vlera të rralla. Kushtet atmosferike dhe mungesa e kujdesit kanë bërë që muret e kullës të mos jenë më të qëndrueshme. Plasaritjet përgjatë gjatësisë së murit janë të dallueshme me sy të lirë. Pikërisht për të shmangur efektin shkatërrues të këtyre dëmtimeve, rreth pesë vjet më parë specialistët kanë bërë një ndërhyrje të pjesshme, duke vendosur tiranta (shufra) shtrënguese në tri breza. Në të njëjtën periudhë pretendohet të jetë riparuar edhe çatia, dëmtimi i së cilës lejonte vazhdimisht depërtimin e ujërave dhe lagështirës. Por kjo ka qenë një masë që i ka paraprirë një shembjeje të mundshme disa vite më parë. Aktualisht, kulla e Turanit, e cila gjendet në një fshat të Korçës e në një zonë të banuar, është në prag të një gjendjeje kritike. Muret në dy faqet e kullës kanë pësuar plasaritje. Vetë specialistët e degës rajonale të monumenteve të kulturës pohojnë se është koha për një ndërhyrje stabilizuese, por sipas tyre gjendja nuk është alarmante. Specialistët propozojnë një ndërhyrje sipas një projekti të studiuar që do të kërkonte një investim të veçantë. Kulla me katër mure dhe me një lartësi 15 metra ka disa çarje dhe plasaritje, por nga verifikimi në terren që kanë kryer specialistët kohët e fundit, rezulton se ky objekt ka ende forcë të rezistojë. “Për momentin, kulla e Turanit nuk paraqet rrezikshmëri shembjeje, megjithatë ajo mbahet me tiranta shtrënguese. Por për t’i paraprirë një rreziku për avancimin e mëtejshëm të dëmtimeve, për shkak të moshës së vjetër të objektit, duhet që të kryhen restaurime apo punime konsoliduese, pasi është një objekt i rrallë”, shprehet Gjergji Skënderi, një prej specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës. Sipas tij, ka ende nevojë që muret e kësaj kulle të mbahen të konsoliduara me të tjera tiranta metalike. Ndonëse aktualisht në kullën e Turanit ndodhen të vendosura tri tiranta metalike shtrënguese në secilin kat, ato thuajse nuk e kryejnë më funksionin e tyre, pasi janë liruar. Kullat fushore të ndërtuara në vendin tonë janë të rralla. Kryesisht, për shkak të funksionit të tyre në kohën e luftërave, këto kulla kanë qenë të pozicionuara në pika strategjike për zhvillimin e luftimeve dhe rrallë ndërtoheshin në zona fushore. Kulla e Turanit përdorej për luftime dhe për depozitimin e prodhimeve bujqësore. Ashtu si dhe një tjetër kullë e ngjashme me të në zonën e Korçës, këto objekte u përkisnin bejlerëve. Ajo është ndërtuar në një terren të sheshtë në skajin lindor të fshatit. Kulla, e cila ishte e pozicionuar mes ndarjes së rrugëve, përdorej për luftime. Sipas të dhënave historike, ka qenë kati i dytë i saj vendi i luftimit ku ende duken dhe ruhen nga forma e ndërtimit karakteristikat e veçanta. Në katin e dytë ngjitja bëhej me shkallë të brendshme. Kulla ka një planimetri katërkëndëshe, me një hyrje të vetme. Ajo ndahet në katër kate, ku secili kat formohet nga një kthinë e vetme, me përjashtim të katit të parë, i cili ndahet në dy kthina, që mbulohen me qemer cilindrik guri. Muret e katit të parë kanë një trashësi prej 1,15 metra dhe vijnë duke u ngushtuar në katet e tjera. Kati i parë përdorej për të grumbulluar prodhimet bujqësore dhe kishte ndarje të posaçme për të siguruar ruajtjen nga zjarri. Ndërkohë që vendi kryesor i luftimit ka qenë kati i dytë, me frëngji për armë zjarri. Për banim përdorej kati i tretë i kullës, i ndriçuar me frëngji, ndërsa kati i katërt mendohet se përdorej për gatim për shkak të një oxhaku. Kulla e Turanit është një nga kullat më të rralla në vendin tonë, pjesë e listës së monumenteve të kulturës.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›