Ministri Basha kërkon mohimin e 6 mijë lekëve për çdo polic
Prej dy vjetësh, punonjësve të policisë u janë mohuar nga rreth 6 mijë lekë në muaj për person, për shkak të dietave të ushqimit, por veç kësaj, tashmë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka menduar që t’ua heqë fare këtë të drejtë. Një kërkesë e tillë është bërë nga ministri i Brendshëm, i cili ka kërkuar mendim nga drejtuesit e policisë, me qëllim që të kalojë në qeveri mohimin e kësaj të drejte të fituar. Informacioni bëhet i ditur nga burime të besueshme pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që shpjegojnë se ende nuk është dërguar një përgjigje përfundimtare. Kjo kërkesë ka ardhur pikërisht në kohën që policia e kryeqytetit është në gatishmëri për protestat e Partisë Socialiste dhe për orë të tëra duhet të qëndrojë në detyrë dhe nuk përfiton asgjë për punën e tepërt, por qeveria kërkon t’i heqë edhe ato që ka përfituar me ligje të mëparshme.
Ky vendim ka të bëjë me vaktin e ushqimit për të gjithë punonjësit e policisë, që sipas të dhënave rezulton se shkon rreth 6 mijë lekë në muaj për çdo punonjës dhe shteti shqiptar ka detyrim ligjor ndaj tyre. Madje, që prej miratimit, ky vendim ka hyrë në fuqi me gjithë urdhrat e nevojshëm, por deri më sot nuk është bërë asgjë. Qeveria nxjerr pretendime se nuk ka para për këtë problem, pavarësisht se e ka miratuar vetë vendimin, pasi sipas shifrave, i detyrohet policisë shqiptare t’i japë rreth 400 milionë lekë (të reja) në vit vetëm për vaktin e ushqimit. Pretendime të tilla janë bërë edhe në kërkesën e dërguar nga ministri Basha për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cili ka kërkuar mendim prej tyre.
Këto nuk janë shifra të nxjerra rastësisht, por të bazuara në vendimet e mëparshme. Sipas të dhënave zyrtare, me vendimin nr. 494, datë 01.08.2007, Këshilli i Ministrave ka miratuar “Normat e Trajtimit me Ushqim të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të studentëve dhe kursantëve në shkollat e policisë dhe të shtetasve të ndaluar, deri në sqarimin e pozitës së tyre. Pikërisht në pikën 1 të këtij vendimi deklarohet se punonjësit e policisë së shtetit, studentët dhe kursantët në shkollat e policisë brenda vendit dhe kursantët që trajtohen në institucione të tjera policore, të trajtohen me ushqim pa pagesë. Ndërsa në pikën 4 të të njëjtit vendim deklarohet që punonjësit e policisë që përfitojnë të drejtën e trajtimit me ushqim për një vakt “drekë”, në strukturat që nuk kanë infrastrukturën e duhur për ushqim të gatuar, të kompensohen për ditët efektive të punës në vlerë (lek), sipas vlerës së racionit bazë ushqimor për vaktin “drekë”, të miratuar nga ministri i Brendshëm.
Pavarësisht se ky vendim u miratua pikërisht dy muaj pas ligjit të ri të Policisë së Shtetit, ku shpresa ishte për ndryshimin e policisë dhe që nuk do kishte pengesa më për mbarëvajtjen e punës, urdhri për zbatimin e tij u miratua rreth një vit më vonë. Pikërisht në vitin 2008, ministri i Brendshëm, që në atë kohë ishte Bujar Nishani, urdhëroi që të zbatohej vendimi i qeverisë. Urdhri në fjalë mban nr. 432 dhe ka dalë më datë 10 mars të vitit 2008. Në urdhër detajohen gjithë trajtimet e policisë me ushqim. Veç këtij urdhri, një tjetër ishte edhe ai mes dy ministrave, të cilët nxorën tabelat ekuivalente për trajtimin me ushqim. Urdhri ishte firmosur mes ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, dhe ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, ku ngarkohej Drejtoria e Përgjithshme e Policisë për zbatimin e tij.
Deri tani, nga vendimi dhe urdhrat përkatës kanë përfituar vetëm disa struktura të policisë, që trajtohen me tre vakte në ditë, siç janë forcat speciale. Megjithatë, nga përllogaritjet rezulton se nuk kanë përfituar të gjithë punonjësit e policisë që nuk trajtohen njësoj si ata me tre vakte ushqimi. Por, numri i tyre arrin në rreth 5 mijë veta. Të gjithë këta punonjës përfitojnë 22 vakte në muaj, sipas ditëve zyrtare të punës. Por, 22 vakte me nga 300 lekë, arrijnë një vlerë prej 6600 lekë për person. Ndërsa për pesëmijë punonjës policie, vlera totale në një muaj arrin 33 milionë lekë, ndërsa për një vit, rreth 400 milionë lekë. E pikërisht kjo është vlera që qeveria shqiptare u ka borxh punonjësve të policisë për një vit. Tashmë, pavarësisht se qeveria nuk po e jep këtë borxh ndaj policëve, kërkon që t’ua heqë fare, duke përfituar në nxjerrjen e një vendimi gjatë kohës kur vëmendja është e përqendruar në situata të tjera të vendit.
#