Dëmtohet rruga, 5 mijë banorë të bllokuar
BERAT - Komuna malore e Tërpanit në Berat ndodhet e izoluar. Lajmin e bën të ditur kryetari u komunës, Engjëll Veliu, i cili theksoi se janë 5 mijë banorë të kësaj zone, që për shkak të shkatërrimit të rrugës nuk mund të lidhen me qytetin. "Ne si komunë kemi kërkuar prej vitesh që të ndërhyhet me fonde për të rikthyer këtë rrugë prej 30 kilometrash në normalitet. Sapo ka filluar stina e dimrit dhe kjo rrugë është bërë e pakalueshme. Nga shirat e rrëmbyeshëm, anët ballore të saj janë prishur dhe vazhdojnë të rrëshqasin nga ditë në ditë", u shpreh kryekomunari i Tërpanit. Burime nga komuna bënë të ditur se disa herë drejtuesit e saj kanë bërë projektet dhe ia kanë përcjellë Ministrisë së Brendshme, Prefekturës, Qarkut etj., por deri më tani asnjë përgjigje nuk është kthyer. Ata që e vuajnë më shumë izolimin janë vetë banorët, të cilët kanë kërkuar disa herë të zgjidhet kjo situatë. d.xh