E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, persona me armë e maska grabisin kazinonë

 

KORÇE - Tre persona të maskuar e armatosur grabitën dje kazinonë e kompanisë "Admiral" në Korçë. Ata kanë marrë të gjitha paratë që gjendeshin në banak dhe më pas janë larguar duke kërcënuar me vrasje punonjësit në rast se i ndiqnin nga pas. Ngjarja ndodhi rreth orës 03.00 kur punonjësit e kazinosë po kryenin llogarinë e xhiros së ditës. Operatori po numëronte sasinë e parave, ndërsa badigardi ishte ulur pranë një tavoline kur papritur janë shfaqur maskat. Duke iu drejtuar grykën e armëve automatike dhe të një pistolete maskat i kanë izoluar ata në një qoshe të sallës dhe më pas njëri prej tyre ka marrë gjithë paratë e xhiros. Grabitësi që mori paratë, sipas dy punonjësve, nuk e ka pasur të vështirë të orientohet për të gjetur vendin ku mbaheshin ato, gjë që tregon se ishte person që e njihte mirë sallën e kazinosë. Dyshohet se personat të jenë klientë të lokalit. Drejtuesi i këtij lokali u shpreh dje se në sajë të përllogaritjeve paraprake janë grabitur 100 mijë lekë. Hetimet kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së djeshme. Burime nga Komisariati i policisë bënë të ditur se ende nuk është arrestuar ndonjë prej maskave, por janë duke punuar për identifikimin e tyre.         j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›