Denaj: Fermeri nga Gjirokastra, pasionin për akuakulturën e zgjeroi në agroturizëm

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Prej 17 vitesh, Xhelali dhe familja e tij në Kolonjë të Gjirokastrës, janë të përkushtuar ndaj mbarështimit të troftës.
Sot, ata e kanë zgjeruar pasionin e tyre duke e kthyer në një agroturizëm të mirëfilltë që nxit zinxhirin e vlerës, fuqizon bashkëpunimin me fermerët vendas dhe mbështet zhvillimin e ekonomisë lokale.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale historinë e këtij sipërmarrësi, që është kthyer në qendër mjaft të frekuentuar nga vizitorët vendas dhe të huaj.
“Në këtë agroturizëm, turistët vendas e të huaj mund të shijojnë gatime me peshk të freskët, mish të zonës dhe produkte “Made in Albania” , që sjellin në tryezë shijet e vërteta të traditës”, u shpreh Denaj.
Ministrja tha se, “agroturizmi në Shqipëri po njeh një rritje të ndjeshme, duke ofruar mundësi të reja për fermerët dhe duke i dhënë vizitorëve përvoja në zemër të natyrës dhe një shije unike të kulinarisë shqiptare”.
Xhelali teksa ndau eksperiencën e tij në sipërmarrjen që ka nisur, tha se, “krahas restorantit do të ndërtoj edhe disa dhoma akomodimi, duke zgjeruar ofertën e shërbimit për vizitorët vendas dhe ata të huaj”. /j.p/