Kurz: Shqipëria po bëhet qendër e inovacionit

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Drejtuesja e GIZ në Shqipëri, Dr. Sonja Kurz u shpreh sot se “Shqipëria po bëhet një qendër e inovacionit bashkëkohor”.
E pranishme në prezantimin që u zhvillua sot në Tiranë të Qendrës së re Komunitare për nxitjen e ekosistemit të inovacionit në Shqipëri, organizuar nga zyra e BE-së në Tiranë, Kurz tha se “ne jemi pjesë e një ekosistemi të inovacionit të gjerë europian që është më e madhja në botë dhe ky është një hap shumë i mirë për ecur përpara”.
“Për sistemet e inovacionit kemi mësuar para pak kohësh dhe kemi investuar në kërkim kryesisht. Inovacioni ka një qasje të treanëshme me universitetet, sektorin privat dhe shoqërinë civile dhe ndërlidhja mes tyre është aspekti më i rëndësishëm ku nxisim inovacionin në vende të ndryshme”, tha Kruz.
Në Shqipëri u shpreh ajo, duhet të fokusohemi te arsimi, që është i lidhur edhe me biznesin dhe të fokusohemi tek idetë e reja.
“Kjo qendër synon të rrisë ndërgjegjësimin për komunitetet dhe jemi përpjekur të krijojmë këto rrjete të inovacionit në Shqipëri si dhe të forcojmë rrjetet europiane dhe shqiptare në mënyrë që Shqipëria të jetë pjesë më e gjerë e komuniteteve dhe thirrjeve që hapen nga BE për teknologjinë dhe inovacionin. Është e rëndësishme të mbështesim talentet e reja në fushën e start-up dhe në fushën e inovacionit që ato të forcohen dhe zgjerohen”, vuri në dukje Kruz.
Kruz nënvizoi disa nga drejtimet ku duhet të orientohet inovacioni.
“Ne duhet të kemi një ekonomi fleksibël me fokus mbrojtjen e klimës dhe ndërlidhjen urbane dhe të lidhura me programet e BE-së që e ndihmojnë Shqipërinë të avancojë në integrimin në BE. Shqipëria do të bëhet një anëtare e mirëfilltë dhe të shfrytëzojë mundësitë që ofron BE që po lançon shumë programe që janë në dobi të publikut dhe ekonomisë”, tha ajo. /j.p/