Drejtuesi i EIT, Kern: Shqipëria pjesë e skemës së inovacionit, 1000 pjesëmarrës në programe

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Instituti Evropian i Inovacionit dhe Teknologjisë (EIT) ka hapur qendrën e parë komunitare në Shqipëri. Në prezantimin zyrtar të kësaj qendre që synon nxitjen e potencialit në fushën e inovacionit dhe arsimit, foli edhe drejtuesi i këtij institucioni, Mark Kern, i cili tha se në projektet e EIT-së ndër vite janë angazhuar rreth 1000 pjesëmarrës nga Shqipëria, të cilët kanë marrë pjesë në trajnimet për aftësitë dixhitale.
“Gjashtë ekipe nga Shqipëria kanë marrë pjesë në aktivitetet tona fillestare, Jump Start që mbështesin kompanitë në fazat e tyre të hershme dhe i ndihmon që të përshpejtojnë rritjen e tyre. Pesë prej tyre kanë qenë kompani të forta dhe kjo tregon fuqinë mjaft e madhe që ka EIT, sidomos edhe për faktin që drejtueset e tyre kanë qenë gra. Në Evropë kemi vetëm 20% gra që kanë themeluar kompani në fushën e inovacionit. Shqipëria është pjesë e skemës së inovacionit ku mbështeten të gjitha vendet në Evropë me kapacitete të ulta”, pohoi ai.
Sipas Kern, vlera e kompanive të mbështetura nga EIT-ja është 72 miliardë euro, ndërsa këto mundësi do të vijnë edhe në Shqipëri nga çelja e Qendrës Komunitare të Inovacionit.
“EIT ka të bëjë me përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe kërkimit në Evropë dhe kjo bëhet nëpërmjet EIT-së që fokusohet gjithnjë në sfidat madhore shoqërore që ne i hasim në Evropë. Kjo do të thotë që EIT-ja ka ngritur qendra apo komunitete për inovacionin dhe njohuritë në fushën e energjisë, klimës, shëndetit, ujit, lëndëve të para, dixhitalizimit, ushqimit dhe lëvizshmërisë, prodhimit dhe më e fundit në fushën e kulturës dhe krijimtarisë”, tha Kern.
Sipas drejtuesit të EUIT-së, udhëzimet e reja të Komisionit Evropian janë të qarta dhe mbështesin vlefshmërinë e EIT-së.
“Duhet ngushtuar hendeku lidhur me inovacionin, duhen adresuar shqetësimet kryesore të BE-së për shtetet anëtare. Ka shumë dëshmi nga studimet e fundit që vlerësojnë jo vetëm vlefshmërinë e programeve arsimore të EIT-së për përmirësim në teknologji duke u drejtuar drejt një mendësie sipërmarrëse, por EIT ka edhe një efekt shumë madhor në projekte të tjera”, shtoi ai.
“Në 15 vitet e fundit, EIT ka ngritur ekosistemin më të madh për novacionin në Evropë që sjellë edhe shërbime të reja pranë tregut. Rezultatet tona përfshijnë 800 mijë studentë që kanë përfituar nga programet teknologjike, më shumë se 2400 produkte inovatore dhe shërbime që janë pjesë e tregut dhe më shumë se 10 mijë start up-e dhe sipërmarrje që janë mbështetur nga EIT”, theksoi Kern. /j.p/