Dënim i kushtëzuar me vdekje

Gu Xilai, gruaja e ish-zyrtarit të lartë kinezë, Bo Xilai, është dënuar me vdekje nga një gjykatë kineze, për shkak të vrasjes së një biznesmeni britanik. Mirëpo, ky vendim do të mbetet i suspenduar, nëse ajo për dy vjet nuk kryen asnjë lloj krimi, njoftoi të hënën televizioni amerikan CNN.
Në të vërtetë, në rast se Gu Xilai nuk bënë asnjë shkelje të ligjit gjatë dy viteve të ardhshme, dënimi i saj me vdekje do të transformohet në dënim të përjetshëm me burg. Veç kësaj, siç njoftoi CNN, nëse Gu sillet mirë në burg, ajo madje do të mund të përfitojë edhe ulje të mëtutjeshme të dënimit me burg të përjetshëm.
Gjykata ka dënuar edhe katër policë, të cilët kishin fshehur krimin e bërë nga Gu.
Në fakt, Gu Xilai ishte akuzuar se më 13 janar të vitit të kaluar kishte vizituar biznesmenin britanik, Neil Heywood, i cili asokohe po qëndronte në një hotel luksoz në Chongqing, pra, në qytetin ku burri i saj, Bo Xilai, ishte ‘alfa e omega’ dhe shef i Partisë Komuniste të Kinës.
Biznesmenin britanik kinezja e kishte shërbyer me çaj dhe verë, në të cilat paraprakisht kishte hedhur helm. Në tërë këtë punë Gu kishte edhe një ndihmës, kinezin Zhang Xiaojun, i cili asaj i kishte siguruar pluhurin helmues, pranoi Xilai para gjyqit.
Gruaja që i kishte të gjitha
"Zbavitëse, atraktive, karizmatike. Ka një burrë shumë të fuqishëm, karriera e saj është dinamike, kurse pasuria tejet e madhe”, janë këto vetëm disa prej fjalëve me të cilat shpesh përshkruhej gruaja e politikanit kinez në ngritje, Bo Xilai. Sipas CNN, Gu Xilai shpesh cilësohej edhe si një “Jackie Kennedy kineze”.