E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënimi italian, gjykata njeh 10 vite burg për trafikun

Ylli Toska duhet të vuajë 10 vite burg, në bazë të vendimit të dënimit të dhënë nga gjykata italiane për trafik droge në bashkëpunim

I dënuari është kapur nga policia italiane në vitin 2003, me 10 kg heroinë në Lombardi, e cila vinte nga Shqipëria


TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, pas shqyrtimit të kërkesës së ardhur nga autoritetet e drejtësisë italiane, vendosi njohjen e vendimit penal ndaj të pandehurit Ylli alias Arbër Toska të dënimit me 10 vite heqje lirie, i dënuar në Itali, për trafik droge. Veç dënimit të burgimit, gjyqtari i vetëm Albert Meçe, vendosi mosnjohjen dhe konvertimin e një gjobe prej 40 mijë euro, të dhënë bashkë me vendimin me 10 vite burg nga Gjykata e Tranit në Itali.


Sipas vendimit përkatës me nr.727, mësohet se i pandehuri i arrestuar në 22 maj të këtij viti në Vorë, është dënuar nga gjykata italiane së bashku me Andrea Gurin dhe Stilian Kishta, të cilët janë dënuar me nga 8 vite burg dhe 30 mijë euro gjobë. Ky vendim ka marrë formën e prerë më 19 tetor 2005. Masa e dënimit ndaj tyre është dhënë për shkak se janë deklaruar fajtorë për veprën penale të "prodhimit,mbajtjes e shitjes së lëndëve narkotike" në bashkëpunim.


Kjo vepër penale, është konsumuar me 30 maj 2003, ku të pandehurit Toska, Guri dhe Kishta u arrestuan në flagrancë, ku edhe iu janë sekuestruar rreth 21 kg heroinë, e ndarë gati në 21 mijë e 607 doza të veçanta, gati për shpërndarje.


Kjo sasi droge, sipas vendimit, kishte hyrë në Itali me një kamion me targa shqiptare "TR 9452 C" më 28 maj 2003 nëpërmjet portit të Ankonës. Brenda një fundi të dyfishtë në dyshemenë e rimorkios së kamionit u gjetën 40 kallëpe, me një sasi prej rreth 21 kg heroinë.


Vendimi


Sipas vendimit të firmosur nga gjyqtari Meçe, me 29 maj 2003, efektivet e Rojes Financiare, (Guardia di finanza) të qarkut të Lombardisë, ishin njoftuar në lidhje me takimet mes Stilian Kishtës dhe subjekteve të tjerë të hetimit, ndaj të cilëve me urdhër të prokurorit kanë filluar ndjekjen dhe vëzhgimin e lëvizjeve të tija në zonën e Gravinës.


"Stilian Kishta po udhëtonte me një "Audi" me targa "CB 195775" nga Spinacola përgjatë rrugës shtetërore në Gravina të Puljes. Rreth orës 01:20 pas mesnatës së 30 majit 2003, ai ka hyrë në Bulevardin "Aldo Moro", duke u takuar me dy burra që hynë në makinën e tij, njëri prej të cilëve ishte Arbër Toska. Të tre së bashku fillimisht shkuan në një ndërtesë në adresen "Via Silvio Pellico'' nr.1.


Nga aty dolën në 6:00 të mëngjesit vetëm të pandehurit Kishta dhe Toska. Pas një pushimi kafeje dhe disa lëvizjeve nëpër rrugë të ndryshme, në orën 07:00 ata janë parë duke ndjekur me shpjetësi të ulët një kamion me targa shqiptare TR 9452 C, që kishte hyrë në Itali nga porti i Ankonës më 28 maj 2003. Pas rreth 30 minuta lëvizje, dy të pandehurit iu afruan kamionit që ishte ndaluar dhe kanë takuar shoferin Andrea Guri. Sapo janë takuar ka ndërhyrë policia duke i arrestuar dhe duke kontrolluar me imtësi kamionin.


Nga kontrolli, u gjetën në një shtresë të dyfishtë nën dyshemenë e rimorkios së kamionit, 40 kallëpe me një sasie totale prej 21 kg heroinë e ndarë në 21 mijë e 607 doza të veçanta, gati për shpërndarje,- thuhet në vendimin përkatës. Më pas rezultoi se Toska dhe Guri kishin udhëtuar nga Durrësi në Itali, bashkë me kamionin në të cilin ndodhej sasia prej 21 kg heroinë. Kjo sasi do t'i dorëzohej të pandehurit Stilian Kishta. Për këtë episod drejtësia italiane i ka shpallur fajtorë personat e sipërpërmendur duke dhënë edhe masat përkatëse të dënimeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›