E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta, Berisha: Patozi, takim me Ruçin

Kryeministri i Shqipërisë mandatoi dje kryetarin e Grupit të PD për të zhvilluar bisedime me homologun e tij socialist


Për fletët e votimit, lideri i mazhorancës sugjeroi që Rama t'i drejtohet Kushtetueses ose Strasburgut


TIRANË - Pas miratimit të rezolutës nga Parlamenti Europian dhe apeleve të ndërkombëtarëve për ta zbatuar, kryeministri Berisha mandatoi dje kryetarin e grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, për të zhvilluar bisedime me homologun e tij socialist për vënien në zbatim të dokumentit të PE.


Në mbledhjen e djeshme të grupit Parlamentar Demokrat, kreu i mazhorancës vlerësoi rezolutën e miratuar nga Parlamentin Europian si të rëndësishme dhe më mbështetësen për Shqipërinë, shqiptarët, qeverinë dhe shoqërinë në tërësi.


"Propozimi im është konkret, Astrit Patozi ka mandat të plotë të takohet me Gramoz Ruçin, ose me atë që do të ngarkojë PS, por ne ngarkojmë kryetarin e grupit të ulen të diskutojnë për konkretizimin e rezolutës dhe i garantoj opozitës që ne kemi vullnet të plotë për zbatimin e saj. Nëse ata kërkojnë ta riformulojnë komisionin të ulen dhe ne nuk kemi kundërshtim", deklaroi Berisha.


Kreu i mazhroancës tha gjithashtu se "i gjithë ky proces ka faktuar në mënyrë të qartë se në këtë vend është e mundur transparenca dhe funksionimi i shtetit ligjor plotësisht, në qoftë se ekziston vullnet nga Partia Socialiste dhe unë nuk kam pse ta vë në dyshim".


Nga ana tjetër opozita ka kërkuar prej miratimit të dokumentit nga PE, vënien në fuqi të saj dhe plotësimin e amendamenteve të kërkuara.


"Urdhëroni të ulet zoti Ruçi dhe mundësisht t'i kërkojmë ne takim, po të duan le të amendojmë komisionin ekzistues, po të duan le ta ngrenë sërish, por ata do të kenë kryetarin, do kenë shumicën në votim objektin e ka përcaktuar qartë rezoluta, thotë hetimin e materialeve të votimit të përcaktojnë metodikën në zbatim të ligjit dhe njëherë dua të theksoj se nëse insistohet për rinumërim të votave në mënyrë absolute, nuk kam asgjë kundër rinumërimit të çdo vote të ndryshimit të çdo rezultati", u shpreh përpara deputetëve demokratë Sali Berisha.


Për çështjen e fletëve të votimit, kreu i mazhorancës i sugjeron opozitës që t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose Gjykatës së Strasburgut.


"Në rast se Rama dëshiron t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e garantoj se jam i prirur dhe i vendosur të zbatoj çdo vendim të saj, kërkon t'i drejtohet Strasburgut, qeveria ime çdo javë vendos për zbatimin e vendimeve të gjykatës së Strasburgut, sado që shpesh herë janë të dhimbshme dhe shumë të kushtueshme", sugjeroi zgjidhjen për opozitën mbi çështjen e fletëve të votimit.


Në vijim të komentimit të dokumentit të miratuar nga PE, Berisha shprehu mendimin se "rezoluta nëse nuk bëjnë sofizma dhe unë nuk kam prirje për të bërë asnjë sofizëm, unë kam prirje të plotë për të zbatuar në përpikëri së bashku me ju atë rezolutë".


Më tej, ai vlerësoi se në rast se dëshiron, "PS le t'i drejtohet KQZ të procedojë me kutitë votat dhe të gjitha, të krijojnë komisioni, nëse dëshirojnë rinumërimin dhe insistojnë te rinumërimi t'u drejtohen gjykatave shqiptare dhe të huaja, pasi gjykata e Strasburgut prevalon mbi gjykatat e vendit.


Shpresoj, dëshiroj, uroj të arrijmë të fillojmë punën për zgjedhjet e ardhshme, të hartohen amendamentet më të mira dhe nuk tërhiqem aspak, le t'i hartojë opozita këto amendamente në përputhje me rekomandimet që ka bërë ODIHR-i për zgjedhjet, t'i votojmë ato dhe të shkojmë drejt zgjedhjeve të ardhshme si një shoqëri e lirë siç jemi", deklaroi Sali Berisha.


FLETËT


"Në rast se Rama dëshiron t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e garantoj se jam i prirur dhe i vendosur të zbatoj çdo vendim të saj, kërkon t'i drejtohet Strasburgut, qeveria ime çdo javë vendos për zbatimin e vendimeve të gjykatës së Strasburgut, sado që shpesh herë janë të dhimbshme dhe shumë të kushtueshme", sugjeroi zgjidhjen për opozitën mbi çështjen e fletëve të votimit Kryeministri i Shqipërisë.


NEGOCIATAT


"Propozimi im është konkret, Astrit Patozi ka mandat të plotë të takohet me Gramoz Ruçin, ose me atë që do të ngarkojë PS, por ne ngarkojmë kryetarin e grupit të ulen të diskutojnë për konkretizimin e rezolutës dhe i garantoj opozitës që ne kemi vullnet të plotë për zbatimin e saj. Nëse ata kërkojnë ta riformulojnë komisionin të ulen dhe ne nuk kemi kundërshtim", u shpreh Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›