Dënohen kidnapuesit e Albert Abazit

Tre malazias e kishin rrëmbyer dhe maltretuar kosovarin Albert Abazi, duke ia kërkuar 30 mijë euro. Dy nga ta janë dënuar me nga pesë muaj burg, kurse i treti është lënë i lirë.
Bozo Tapuskovic (35) dhe Aleksandar Maksimovic (25) janë dënuar me nga pesë muaj burgim, nga Gjykata e Lartë në Podgoricë, për rrëmbimin e kosovarit Albert Abazi (35). Ndërkaq, është lënë i lirë Jovan Brajkovic. Rasti kishte ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, me motiv kinse të një borxhi prej 30 mijë eurosh, edhe pse Abazi kishte mohuar t’i ketë kujt borxh dhe kishte thënë se bëhej fjalë për haraç.
Tapuskovic, Makimovic dhe Brakjovic kishin shkuar te ndërtesa në të cilën jetonte Abazi, në Podgoricë dhe pasi e kishin ftuar për të biseduar, e kishin futur me forcë në veturë dhe e kishin dërguar në një ndërtesë, ku banonte Maksimovic. Mediat malaziase kishin cituar Abazin të ketë thënë se në fillim kanë qenë dy veta, e pastaj e kanë thirrur Tapuskovicin, duke i thënë: “Hajde, e kemi në dorë. Ai kishte ardhur shpejt dhe Abazit i kishte kërkuar t’i jap 30 mijë euro ose t’ia nënshkruajë shtëpinë.
Në banesë, Abazin, të lidhur e kishin rrahur për rreth dy orë, duke e lënë më pas të mbyllur brenda. Abazi ia kishte dalë t’i zgjidhë duart dhe përmes dritares të dalë në ballkonin e një banese përbri, nga ku e kishte njoftuar policinë për rastin.
Policia e kishte arrestuar Maksimovicin, më pas edhe Tapuskovicin, kurse Brajkovic ishte shpallur në kërkim dhe ishte arrestuar më vonë.
Abazi kishte treguar për mediat malaziase se gjatë rrahjes, ashtu të lidhur, në banesë kishin lëshuar muzikë me zë të lartë, në mënyrë që fqinjët të mos i dëgjojnë britmat. Ai kishte thënë, po ashtu, se gjashtë muaj me radhë i paguante haraç policit Tapuskoviq, me të cilin më herët kishin punuar së bashku.
“Merrem me ndërtime, e ai ka punuar me mua. Nuk i kam kurrfarë borxhi. Ai filloi të më kërkojë, një herë pesë, e pastaj dhjetë mijë euro. Thjesht ishte haraç. Ia kam dhënë katër mijë euro, sepse më kërcënonte se do të më likuidojë”, kishte deklaruar Abazi.