E Shtunë, 31 Tetor 2026

RTK zgjedh kryesindikalistin

Nga Express më 23 prill 2011 në ora 21:12

Kuvendi i katërt zgjedhor i Sindikatës së Pavarur e Punëtorëve të RTK-së, i cili u karakterizua me tensione, ka zgjedhur për kryetar të ri të kësaj sindikate Fadil Hoxhën me 54 vota, derisa kundër kandidati i tij Fisnik Dërguti mori 21 vota.

Rabishe Muhaxheri, kryetare e deritanishme e Kuvendit të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të RTK-së u tërhoq nga rikandidatura në këtë post, pas kundërshtimeve të delegatëve të pranishëm se kandidatura e saj ishte në kundërshtim me statutin e sindikatës. Gjithashtu është zgjedhur edhe kryesia e re prej 12 anëtarëve, raporton KP.

Të pranishëm në punimet e Kuvendit zgjedhor të SPP të RTK-së ishin 77 delegatë, të cilët me vota të fshehta zgjedhën kryetarin e ri me mandat dyvjeçar, si dhe kryesinë.
Nisja e punimeve të kuvendit u karakterizua me tensione për shkak të kandidaturës së Rabishe Muhaxherit, kryetare e deritanishme e Kuvendit të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të RTK-së për këtë post.

Delegatët kundërshtuan kandidaturën e saj, duke thënë se kjo paraqet shkelje të statutit, gjë e cila nuk është pranuar nga Muhaxheri, e cila ka thënë se në këtë post kandidon në cilësinë e anëtares së sindikatës.

Pas hedhjes në votim, Fadil Hoxha mori 54 vota, duke u zgjedhur për kryetar të ri të sindikatës me mandat dy vjeçar, kundër kandidati Fisnik Dërguti mori 21 vota, ndërkaq dy vota ishin të pavlefshme.

Kryetari i ri i SPP të RTK-së, Fadil Hoxha, para delegatëve ka premtuar se do të përpiqet që në masë të madhe të mbrojë të drejtat e punëtorëve dhe në veçanti do t’i kushtojë kujdes financimit të pavarur.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›