Dënohet dhuna ndaj një rabini në Berlin

Pas sulmit me motive antisemitiste ndaj një rabini në Berlin, politikanët bëjnë thirrje për kurajo civile, pasi hebrenjtë ndihen të pasigurtë dhe organizatat e hebrenjve kërkojnë garantimin e sigurisë në jetën e përditshme. Sulmi kundër rabinit Daniel Alter, i cili kishte dalë së bashku me vajzën shtatë vjeçare ishte i papritur. Katër të rinj iu sulën rabinit 53 vjeçar duke e qëlluar më shqelma, ndërsa vajzën e kërcënuan me vdekje. Sipas raportimit të rabinit, i cili duhej të operohej në spital në gjendje të rëndë, autorët dukej të kishin origjinë arabe. Ngjarja ndodhi në një zonë që njihet si zonë e qetë në Berlin, në Friedenau.
Që nga koha kur ndodhi ngjarja, shumë pjesëtarë të komunitetit hebre në Berlin rrëfejnë për përvoja jo të mira kur paraqiten si hebrenj, pavarësisht në çfarë lagjeje ndodhen. Rabini Andreas Nachama, njëri nga njerëzit e nderuar të komunitetit hebre në Berlin i mënjanon autobuzët dhe metrotë. Megjithatë jo çdo akt regjistrohet nga statistikat. Vitin e kaluar policia e Berlinit bëri fjalë për një rënie të lehtë të numrit të sulmeve kundër hebrenjve, nga 148 në 126.
Në shumicën e rasteve, sulmet kanë sfond ekstremist të djathtë. Forca sigurie ndodhen para sinagogave, shkollave fetare, kopshteve të hebrenjve - 24 orë, 365 ditë në vit. Por mbrojtja e objektit është njëra anë. Ana tjetër është ndjenja e sigurisë apo e rrezikimit në jetën e përditshme.Kryetari i Konferencës Europiane të Rabinëve, nga Zvicra u shpreh të premten se komuniteti hebre në Gjermani ndodhet "në udhëkryq". Kryetari i bashkisë së Berlinit, e cilësoi ngjarjen si "një sulm ndaj bashkëjetesës paqësore të të gjithëve në kryeqytetin gjerman".