Dënohet incidenti në Tetovë
Në Maqedoni diplomatët kanë reaguar ashpër pas sulmit të armatosur ndaj kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, për të cilin ai thotë se ishte një tentativë për atentat.Ambasadorët e vendeve të BE-së dhe SHBA-ve në Maqedoni, kanë hequr dorë nga fjalori diplomatik dhe në mënyrë të hapur kanë shprehur shqetësime për dhunën elektorale.
Ata bënë apel për një process të qetë zgjedhor.
Ambasadori i BE-së, Ervan Fuere tha se dhuna është e papranueshme. Ajo kërcënon të ardhmen evropiane të Maqedonisë:
"Çdo akt dhune është shumë i dëmshëm jo vetëm për imazhin e vendit por edhe për prespektivën e përfshirjes së vendit në BE," - tha ai.
Zgjedhjet, sipas BE-së, janë një nga nëntë kriteret mbi të cilat Brukseli vendos për të ardhmen e Maqedonisë.
Komisioneri për Zgjerim, Oli Ren edhe ai i për çështje të politikës së Jahstme dhe të Sigurisë, Havier Solana, thonë se dhuna në proces zgjedhor në asnjë mënyrë nuk është e pranueshme.
Nëpërmjet një komunikate Ambasada e SHBA-ve në Shkup sulmin ndaj Ali Ahmetit e quan si një "ngjarje shokuese".
Ajo thotë se partitë që frikësojnë kandidatët apo votuesit nuk meritojnë mbështetje, dhe bën thirje që autoritetet të garantojnë të drejtat e qytetarëve për zgjedhje të lira.
Apele të ngjashme bëri edhe presidenti i vendit Branko Cërvenkovski, kurse kryeministri Nikolla Gruevski pas takimit me Menduh Thaçin e PDSH-së dhe pas bisedës telefonike me Ali Ahmetin e BDI-së tha nuk do të ketë mbrojtje partiake ndaj atyer që nxisin dhunën:
"Insitucionet do të bëjnë gjithçka që kanë në dorë që të ndalojnë apo dënojnë ata që do të keqpërdorin apo ata që duan t'i shndrrjnë këto zgjedhje nga arenë politike në ndonjë arenë tjetër,"- tha Kryeministri Gruevski.
Manifestim kundër dhunës
Kundër dhunës protestuan edhe mijëra qytetarë në sheshin e Tetovës.
Ata iu bashkuan thirrjeve të BDI-së për të dënuar atë që ndodhi në Rakovec të Tetovës.
Zoti Ahmeti që foli para të pranishmëve bëri thirje për unitet. Ai tha se të gjithë duhet të dalin të japin votën më një qershor dhe mos të frikësohen nga incidentet.
"Jemi mbledhur këtu për t'i thënë jo krimit, mjaft vrasjeve, mjaft terrorit psikologjik. Jemi mbledhur këtu për të thënë që ne kemi dinjitet dhe krenari,"- tha kreu i BDI-së.
Sipas PDSh-së, protesta e së martës më Tetovë kishte si qëllim që të fusë urrejtje mes shqiptarve. Xhelil Bajrami foli në emër të kësaj partie:
"Urojmë që ky të jetë tubimi i fundit i këtij lloji, ku nga ana e folësve si Ali Ahmeti etj., tentuan që t'i frikësojnë shqiptarët dhe t'ua kujtojnë qeverisjen e tyre famëkeqe me Lidhjen Socilademokrate të Maqedonisë,"- tha Xhelil Bajrami.
Fushtata për zgjedhjet e 1 qershorit ka filluar me incidente dhe me të shtëna nga armë zjarri. Pritet që për këtë shkak të rriten dhe presionet diplomatike për të qetësuar situatën.
Inicdenti me z. Ahmeti ka rritur gatishmërinë. Policia thotë se ka arrestuar dy persona që kanë shtënë në drejtim të tij.
Ndërkohë vëzhguesit thonë se ndonëse të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje u zotuan për një process të lirë dhe të drejtë, pamjet për momentin nuk janë premtuese.
Tirana dënon incidentin
Shqipëria shprehu shqetësim lidhur me incidentin me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti.
Ministria e Punëve të Jashtme në një deklaratë zyrtare dënoi me forcë çdo incident e akt dhune, nga kushdoqoftë, duke i cilësuar të papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet dhe rregullat demokratike, por edhe me angazhimet politike për zhvillimin e një fushate të qetë, të ndershme dhe pa tensione.
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme thuhet se forca e ligjit duhet të veprojë ndaj kujtdo që kryen apo mbështet akte të tilla të patolerueshme
Korrespondenti i BBC-së në Tiranë thotë se autoritetet shqiptare mendojnë se një proces zgjedhor i qetë dhe i suksesshëm është jetik për stabilitetin e Maqedonisë, për proceset e reformave dhe të integrimit dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.