Dënohet ish-komandanti i policisë

Ish-komandanti i Stacionit Policor në Kastriot (ish-Obiliq), Sejdi Zeqiri, është dënuar me dy vjet e katër muaj burg për keqtrajtim seksual, për fyerje gojore dhe frikësim si dhe akuzën tjetër për mitmarrje gjatë detyrës.
EULEX-i njoftoi sot se një trup gjykues me dy gjykatës të EULEX-it dhe një gjykatës vendas e shpalli Zeqirin, fajtor për dy akuza të keqtrajtimit seksual, për dy akuza të keqtrajtimit (fyerje gojore dhe frikësim) gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, dhe për një akuzë të mitmarrjes.
“Po ashtu, është shqiptuar edhe një dënim plotësues, me anë të cilit komandantit i ndalohet që të punojë në administratën publike apo në shërbimin publik për tri vjet”, thuhet në një komunikatë të EULEX-it.
Trupi gjykues e shpalli aktgjykimin më 7 prill 2011 në Gjykatën Komunale të Prishtinës, njoftoi sot EULEX-i.
Në komunikatën e tij, EUKEX-i e cilëson Zeqirin ende si komandant i Stacionit të Policisë në Obiliq, por në fakt ai është suspenduar nga detyra menjëherë pas arrestimit më 28 gusht 2009.