Sheffeled ofron 43 bursa për studentë kosovarë
Dyzetetre të rinj nga Kosova do të kenë mundësi të studiojnë në Universitetin e Sheffieldit.
Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me këtë universitet për të dërguar studentë në nivelin bachelor, master dhe doktoratë, që do të ndjekin studimet në Sheffield të Selanikut.
Ministri i Arsimit, Ramë Buja, dhe drejtori i kolegjit “City” (fakultet ndërkombëtar i Universitetit të Sheffieldit), Ioannis Ververdis, kanë nënshkruar, të martën, marrëveshjen në të cilën ofrohen 43 bursa për studime në këtë universitet të Selanikut në bashkëfinancim edhe me Qeverinë e Kosovës.
Me këtë marrëveshje për studime themelore dhe ato master, studentët do të kenë mundësi të regjistrohen në programet e tri departamenteve sa ka City Kolegj i Universitetit të Sheffieldit: administrim të biznesit dhe ekonomisë, shkencave kompjuterike dhe atë të psikologjisë. Për studime të doktoratës, tri bursa janë ofruar për Qendrën Hulumtuese të Evropës Juglindore, e cila funksionon në Universitetin e Sheffieldit.
Përfaqësuesi i Universitetit të Sheffieldit, Ververdis, theksoi se mundësia për të fituar një nga 43 bursat është e hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe se do të përzgjidhen ata që e meritojnë. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, nga 43 bursat që do të jenë në dispozicion për kandidatët nga Kosova, 20 janë për studimet bachelor, 20 për studime master dhe tri bursa për doktoratë.
Universiteti i Sheffieldit është renditur në listën e 70 universiteteve më të mira në botë, nga 10 mijë universitete që ekzistojnë në botë.