Denoncimet; Dhuna në familje, shtohen rastet e dhunës ndaj prindërve
Dita-ditës në polici regjistrohen raste të denoncimit të dhunës, jo vetëm nga gratë apo fëmijët e dhunuar, por edhe nga prindër të dhunuar prej vetë fëmijëve. Madje, sipas burimeve zyrtare, nuk janë të pakta këto raste. Sipas burimeve zyrtare, rastet janë edhe më të shumta nga sa janë denoncuar, por mentaliteti në të cilin ndodhet vendi ynë, në disa zona nuk ka sensibilizimin e duhur për t’i denoncuar këto raste. Ata që dhunojnë prindërit njihen si persona në depresion, apo përdorues droge. “Sipas statistikës së vitit 2008, janë 43 raste kur prindërit janë dhunuar nga fëmijët, 148 janë bashkëshortë dhe 18 raste janë prindër të dhunuar nga fëmijët”, - deklarojnë burime zyrtare në polici. Megjithatë, shumë gra, të gjendura në vështirësi përballë bashkëshortëve të dhunshëm u janë drejtuar organeve kompetente për mbrojtje. Gjykatat në vend kanë lëshuar urdhrin e mbrojtjes për 172 persona të dhunuar, prej të cilëve kryesojnë gratë e keqtrajtuara e më pas vijnë fëmijët dhe prindërit e dhunuar. Ai që quhet urdhër mbrojtjeje përfshin një sërë ndalesash për dhunuesin, si të mos i afrohet banesës, të mos e takojë viktimën, apo të mos e telefonojë, pasi në rast të kundërt për të nisë procedimi penal. Ndërkohë që dy ditë më parë është shënuar edhe rasti më i fundit barbar i dhunës në familje, i cili mund të kishte përfunduar në një krim të rëndë. Një burrë i preu damarët me thikë bashkëshortes së tij, e cila ishte 5-muajshe shtatzënë, duke e akuzuar fillimisht për vjedhjen e 15 mijë lekëve dhe më pas për tradhti.