Operacioni ; Dyshohet si vrasës me pagesë, arrestohet Flamur Hida
I kërkuar prej disa vitesh për vrasjen e një biznesmeni italian, i dyshuar si vrasës me pagesë, arrestohet së bashku me vëllanë e tij një nga eksponentët kryesorë të bandës së Yzberishtit. Policia e Tiranës vuri në pranga 29-vjeçarin Flamur Hida, i cili kërkohej për vrasjen e një biznesmeni italian, për vjedhje me armë dhe plagosje me dashje. Sapo kanë kryer arrestimin, agjentëve të policisë iu është shtuar dyshimi se kanë të bëjnë me një vrasës me pagesë, pasi në momentin e finalizimit të operacionit dhe prangosjes së dy vëllezërve gjetën edhe tre armë me silenciatorë dhe një automatik “Scorpion”. Në prangat e uniformave blu, pas organizimit të operacionit “I harruari”, u arrestua shtetasi Flamur Hida, së bashku me vëllanë e tij, Fatmir Hida, të strehuar në një banesë në rrugën “Komuna e Parisit”. Sipas policisë, gjatë kontrollit u sekuestruan edhe një automatik tip “Scorpion”, si dhe tre pistoleta të llojeve të ndryshme. I ndaluari ishte shpallur në kërkim që nga viti 1997 dhe është dënuar nga gjykata për disa krime të kryera. Gjithashtu, sipas burimeve nga policia, 29-vjeçari dyshohet se është autori i disa ngjarjeve të tjera, midis viteve 1998-2009. Agjentët e policisë kishin disa muaj që po punonin për arrestimin e të shumëkërkuarit.
Arrestimi
Flamur Hida, përgjatë momenteve të ndërhyrjes së forcave të policisë, ndodhej i fshehur në një banesë në rrugën “Komuna e Parisit” Tiranë. Së bashku me të, në banesë ka qenë edhe i vëllai i tij, Fatmir Hida. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, punonjësit e policisë gjetën një sasi të konsiderueshme armatimi dhe municionesh luftarake. Kështu, u kapën një armë zjarri automatike tip “Scorpions”, një pistoletë mod 54, me një krehër me 7 fishekë, dy silenciatorë, një pistoletë “Belgium” me një krehër me 11 fishekë, një pistoletë “Bereta”, me një krehër me 4 fishekë, një pistoletë elektrike (paralizues elektrik), dy krehër pistolete me 8 fishekë, 106 copë fishekë pistolete, të kalibrave të ndryshëm, një kallëp tritoli së bashku me kapsollën elektrike. Gjithashtu, po sipas burimeve, u sekuestrua edhe një certifikatë personale e falsifikuar që përdorte ky person me identitet të rremë, si mjet identifikimi për të lëvizur, për të mos rënë në gjurmë të agjentëve. Sipas policisë, dyshohet se i arrestuari punonte si vrasës me pagesë, nisur nga arsenali i armëve të sekuestruara. I ndaluari me pseudonimin “Lenci”, ishte person i shpallur në kërkim që prej vitit 1998. Sipas policisë, ai qëndronte i fshehur në kryeqytet dhe në rrethinat e saj, duke vështirësuar kështu kapjen e tij, për shkak të përdorimit të identitetit të rremë, si dhe të mosposedimit nga ana e policisë të fotografive të tij të azhurnuara, sepse në kohën kur ky person ka qenë fillimisht i shpallur në kërkim, ishte i mitur.
Skeda kriminale
I kërkuari Flamur Hida, në bazë të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të datës 13 tetor 1998, ishte dënuar me 12 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale të “vjedhjes me armë me pasojë vdekjen, si dhe të mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, dhe në bashkëpunim me shtetasin Nazmi Avdillari, janë autorë të vjedhjes me pasojë vdekjen të shtetasit italian, Stefano Rossi. Aktualisht, Avdillari ndodhet në qeli i dënuar me “burgim të përjetshëm”. Po, ashtu Hida është dënuar me vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, më datë 28 janar 2002, me 20 vjet burgim, për veprat penale të “vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim”, ndaj shtetasve Bedri dhe Agim Ago. Me vendimin e datës 18 korrik 2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ky shtetas është dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale të “plagosjes me dashje” dhe të “armëmbajtjes pa leje” ndaj shtetasit Aqif Lami. Të dy të arrestuarit janë shoqëruar në qeli. Hetuesit po punojnë për dokumentimin e disa ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura në Tiranë, përgjatë viteve 1998-2009, ku mendohet se është përfshirë i shumëkërkuari nga drejtësia, Flamur Hida.