Inspektimet, Dobjani rekomandon përmirësim të kushteve në komisariatet e kryeqytetit
Pas një inspektimi të kryer nga Avokati i Popullit në disa nga komisariatet e Tiranës, kreu i këtij institucioni, Emir Dobjani, vëren një rekomandim dërguar ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj, se në disa prej tyre realisht ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme në përmirësimin e standardeve. Për këtë arsye, z. Dobjani rekomandon marrjen e masave të menjëhershme, për të përmirësuar kushtet e ambienteve të shoqërimit dhe sigurimit në organet e policisë, me qëllim rritjen e standardeve të trajtimit të personave të shoqëruar, arrestuar dhe ndaluar nga policia. Inspektimi nga Zyra e Avokatit të Popullit në 6 komisariatet e kryeqytetit u krye në datat 6 dhe 9 maj 2009, ndërkohë që qëllimi i tij ishte verifikimi i drejtpërdrejtë i standardeve të ambienteve të shoqërimit dhe atyre të sigurimit. Në të njëjtën kohë, sipas burimeve zyrtare nga ky institucion, u verifikua edhe respektimi i kritereve ligjore dhe i të drejtave dhe lirive kushtetuese e ligjore të personave të shoqëruar, të ndaluar dhe të arrestuar nga policia. Inspektimi u bë nga tre grupe pune, përkatësisht nga ora 20:30 deri në orën 23:00. Gjatë rekomandimit theksohet se pothuajse në të gjitha organet e policisë u gjetën duke punuar drejtuesit e policisë.
Problemet e gjetura
Lidhur me dhomat e shoqërimit u konstatuan probleme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, ku ka vetëm dy dhoma shoqërimi, për femra dhe fëmijët, të cilat janë me kushte normale, por nuk ka dhomë shoqërimi për meshkujt. Gjithashtu, në të gjitha komisariatet e tjera, përveç komisariatit nr. 5, nuk ka tre dhoma shoqërimi për shtetasit, sipas konceptimit të bërë nga ligji “Për Policinë e Shtetit”. Nga inspektimi ka rezultuar se në Komisariatet e Policisë nr. 2, 4 dhe 6, dhomat e shoqërimit janë me ndriçim natyral të kufizuar, të papastra, me dyer hekuri me shula dhe dryna. Në përgjithësi në këto komisariate, dhomat e shoqërimit nuk janë të pajisura me tavolina e karrige, por edhe atje ku ka të tilla, ato janë të thyera apo të dëmtuara, si në Komisariatin e Policisë nr. 1 Tiranë. Ndërsa, lidhur me shoqërimin dhe regjistrimin e të shoqëruarve, përgjithësisht bëhej në bazë të kritereve ligjore. Por, nga këqyrja e librave të shoqërimit në të gjitha komisariatet dhe e dy rasteve të konstatuara drejtpërdrejt në komisariatet nr. 4 e 5, rezulton që të shoqërohen në polici edhe persona për shkak të konflikteve midis tyre. “Sikurse e kemi theksuar edhe më parë, shoqërimi për shkak të konflikteve nuk është i parashikuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit””, - vë në dukje rekomandimi i Avokatit të Popullit, sipas të cilit, ndonëse është për mirë dhe parandalon një ngjarje kriminale, “mendojmë që ky rast duhet të rregullohet në ligj”. Por, në komisariatin nr. 3 është konstatuar një rast i shoqërimit të personave të dyshuar për vjedhje makinash, ndërkohë që në këto raste, sipas rekomandimit të Avokatit të Popullit, duhet aplikuar e drejta e “njoftimit për paraqitje në polici”, e parashikuar në nenin 100 të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe jo të bëhet shoqërimi i tyre në polici me detyrim. Vërejtje ka pasur përgjatë inspektimit edhe lidhur me dhomat e sigurimit dhe personat e arrestuar e të ndaluar. Në të gjitha organet që janë inspektuar, me përjashtim të komisariatit nr. 6, ka dhoma sigurimi për të arrestuarit në flagrancë dhe të ndaluarit. Por, përgjithësisht ato kanë rezultuar të papërshtatshme për banim dhe nuk plotësojnë standardet minimale të nevojshme për jetesë. “Përjashtim bën Komisariati i Policisë nr. 5, i cili ka 4 dhoma të tilla me standarde bashkëkohore, secila për një person, me ngrohje e të pastra, ndërkohë që në Komisariatin e Policisë nr. 4 Tiranë, dhomat e izolimit janë nëntokë, me shumë lagështi dhe pa ajrim. Ndërsa në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, dy dhoma janë pa dritare e për rrjedhojë edhe pa ajrim. Gjithashtu, në të gjitha organet e policisë mungojnë formularë në gjuhë të huaj për të drejtat e personave të ndaluar apo të arrestuar kur këta janë shtetas të huaj.