E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Denoncimet e LSI për evazion fiskal, Ibrahimaj: Asnjë fakt i ri, Administrata Tatimore ka referuar në Prokurori skemat e mashtrimit

Pas denoncimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me evazionin fiskal dhe dosjen e vitit 2018 mbi skemat e mashtrimit, Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj ka dalë në një konferencë për shtyp. Ibrahimaj I ka konsideruar akuzat e bëra nga LSI si abuzive dhe të qëllimshme.

Ibrahimaj ka bërë me dije se në vitin 2018 Administrata Tatimore ka referuar pranë Prokurorisë një skemë mashtrimi që lidhej me pastrim parash dhe janë referuar 20 subjekte dhe bashkë me to 24 individë përgjegjës për krijimin e skemave të mashtrimit. Ajo ka pranuar kirijimin e subjekteve fiktive me qëllim përfitimin e TVSH-së. Ibrahimaj thekson se nga 2018 deri më sot janë 34 të referuara në Prokurori nga hetimi tatimor.

 “Zhurma e madhe e ditëve të fundit e krijuar në kuadër të një lufte, në vigjilje të një proteste të lajmëruar, e cila nxit zhvillimin e një revolucioni imagjinar. Asgjë nga faktet e nxjerra ditët e fundit nuk është e re. Të gjitha faktet lidhen me procese që kryhen vite më parë nga Administrata Tatimore. Në dhjetor 2018 Administrata Tatimore ka referuar pranë Prokurorisë një skemë mashtrimi që lidhej me pastrim parash, janë referuar 20 subjekte për të cilat bashke me to 24 individë përgjegjës për krijimin e këtyre skemave të mashtrimit.

Kjo ka nisur nga një punë disa mujore e Hetimit Tatimor, ku është analizuar krijimi i këtyre subjekteve. Konkretisht, janë krijuar subjekte fiktive me qëllim përfitimin e TVSH-së. Këto subjekte blinin e shisnin me kompani të krijuara, dhe kompanitë që i shisnin këtyre subjekteve përfitonin duke shkarkuar inventarët e tyre pranë subjekteve bashkë me TVSH ndërkohë që subjektet fiktive i shisnin kompanive blerëse produkte në varësi të fushës së veprimit me qëllim fryrjen e shpenzimeve e mos pagesën e TVSH. Këto nuk janë dukuri të reja e nuk janë dukuri shqiptare, por të përhapura në gjithë vendet e botës e në Shqipëri kanë filluar të shumohen pas vitit 2012. Nga ai vit janë 34 subjekte që janë referuar nga hetimi tatimor pranë prokurorisë. Pjesë të këtyre kanë përfunduar me një vendim gjykate për zbatim ku në disa raste ka pasur dhe të dënuar, pjese e tyre janë ende në hetim dhe vijojnë procedurat”, tha Ibrahimaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›