E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rekomandimet e BE për amnistinë fiskale, Meta: Qeveria t’i zbatojë urgjentisht, favorizohet bota e krimit

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale. Duke u ndalur te paralajmërimi i Bashkimit Evropian mbi projektligjin e qeverisë, Meta deklaron se nëpërmjet amnistisë fiskale, do të favorizohej bota e krimit, do të goditej dhe dëmtohej biznesi i ndershëm, do dekurajohen investimet e huaja serioze në Shqipëri, do kriminalizohej ekonomia dhe shoqëria shqiptare. Po ashtu sipas kreu të shtetit, paralajmërimet e Bashkimit Evropian se projektligji i qeverisë për amnistinë fiskale do të minonte besimin e shoqërisë te shteti i së drejtës dhe do të kompromentonte imazhin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s.

Kreu i shtetit mbështet shqetësimet e ngritura nga BE dhe thekson se shpërfillja e qeverisë ndaj tyre është e papranueshme dhe e patolerueshme. Meta ka bërë thirrje për zbatimin e rekomandimeve të FMN-së dhe BE-së.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta:

Kam ndjekur me shumë vëmendje reagimet e shumta nga ekspertë vendas dhe të huaj, si dhe paralajmërimin zyrtar të Bashkimit Europian, mbi projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale.

Ndër argumentet e bazuara kundër kësaj nisme të Qeverisë, paralajmërohet se përmes këtij ligji:

📌 – Do të favorizohej qartësisht bota e krimit, duke ofruar mundësinë që të ardhurat e përftuara ndër vite prej aktivitetit kriminal nga grupe të organizuara apo individë të pushtojnë ekonominë vendase, dhe veçanërisht tregun financiar, në mënyrë të ligjshme;

📌 – Do të goditej drejtpërdrejt dhe dëmtohej biznesi i ndershëm dhe iniciativa e lirë vendase;

📌 – Do të dekurajoheshin edhe më tej investimet e huaja serioze në Shqipëri;

📌 – Do të kriminalizohej e gjithë ekonomia, dhe si pasojë edhe gjithë shoqëria shqiptare, duke ekspozuar vendin si destinacion që favorizon veprimtarinë e organizatave dhe grupeve kriminale mafioze ndërkombëtare;

📌 – Do të minohej edhe më tej besimi i shoqërisë tek shteti i së drejtës, tek institucionet, tek barazia përpara ligjit, dhe do të nxitej edhe më shumë ekonomia informale;

📌 – Do të inkurajohej perceptimi i gabuar dhe shumë i rrezikshëm se çdo veprimtari kriminale dhe produkt i saj do të amistohet gjithmonë në të ardhmen;

📌 – Do të sillte si pasojë rritjen kriminalitetit të rrugës;

📌 – Do të minoheshin përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar, që sipas raporteve të agjencive të specializuara, tashmë e ka kthyer Shqipërinë në bazë operacionale;

📌 – Do të dobësohej angazhimi dhe efikasiteti i të gjitha strukturave dhe mekanizmave shtetërorë që luftojnë pastrimin e parave dhe produkteve të veprave penale;

📌 – Do të dëmtohej bashkëpunimi me vendet partnere, dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian;

📌 – Do të kompromentohej rëndë imazhi i Shqipërisë si anëtare e NATO, dhe do të cënohej imazhi i panjollë i të gjithë shqiptarëve të ndershëm;

I mbështes plotësisht të gjitha këto shqetësime të argumentuara që ngrenë alarmin mbi nismën e fundit të Qeverisë, dhe që janë shprehur edhe më herët përmes Rezolutës së Parlamentit Europian së datës 19 maj 2022.

Shpërfillja e papërgjegjshme e Qeverisë ndaj tyre është e papranueshme dhe e patolerueshme.

Kushdo që mendon se do të kompromentojë shqiptarët e ndershëm si bashkautorë në krim e ka gabim.

Bëj thirrje të hiqet urgjentisht dorë nga kjo përpjekje e pashpresë, dhe të zbatohen pa vonesë rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bashkimit Europian, duke u kërkuar ndjesë të gjithë shqiptarëve të ndershëm për këtë provokim të pamerituar.

Qeveria shqiptare ka për detyrë të krijojë kushtet dhe të stimulojë zhvillimin e vendit përmes punës së ndershme, konkurrencës së lirë dhe mundësive të barabarta, dhe jo ta shpallë krimin si modelin e suksesit në jetë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›