Komuniteti i Ri Politik Europian, Shqipëria dhe Holanda me propozim të përbashkët, Rama: E paimagjinueshme

Kryeministri Edi Rama më 4 korrik zhvilloi një vizitë në Hagë ku zhvilloi një sërë takimesh, mes të cilëve edhe me Kryeministrin e Holandës Mark Rutte. Kreu i qeverisë ka bërë me dije se në takimin me Rutte kanë rënë dakord që Shqipëria dhe Holanda do përgatisin një propozim të përbashkët për mënyrën se si duhet të jetësohet ideja e Komunitetit të Ri Politik Europian. Rama theksoi se skuadrat e Shqipërisë dhe Holandës për të nxitur debat konstruktiv për Europën në Samitin e madh që do mbahet në Pragë muajin tetor ku do të paraqesin dhe propozimin për Kominitetin e ri Politik Europian.
“Vizita në Hagë ka pasur një lajm të jashtëzakonshëm për moralin dhe perspektivën e Shqipërisë. Shqipëria bashkë me Holandën do përgatisin një propozim të tyrin për se si duhet të artikulohet në terrenin e jetës reale europiane, ideja e Presidentit të Francës për Komunitetin e ri Politik Evropian. Kjo është një ide e re për të gjeneruar një energji dhe fuqi të re europiane pa e zëvendësuar dhe as anashkaluar procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ndërsa ideja e propozimit shqiptaro-holandez mori jetë pikërisht gjatë vizitës në Hagë ku duke vlerësuar lart punën dhe arritjet e Shqipërisë po dhe duke çmuar kontributin tonë kritik në tryezën e Këshillit Evropian, Kryeministri Mark Rutte më kërkoi të hidhnim në letër bashkarisht si dy vende mike njëri në rrënjët e Bashkimit Evropian, tjetri ende jo në Bashkimin Evropian një këndvështrim të përbashkët për se si duhet të jetësohet ideja e komunitetit të ri politik europian.
Ky është një moment i paimagjinueshëm dhe i pak viteve më parë i Shqipërisë në arenën politike, europiane dhe më gjerë, si dhe një shprehje prekëse për Shqipërinë dhe shqiptarët. Do të punojmë me kryeministrin Rutte dhe me skuadrat tona për të nxitur një debat konstruktiv dhe produktiv për Evropën e të gjithë europianëve, në Samitin e Madh për këtë temë, në Pragë, tetorin e ardhshëm ku do paraqesim dhe propozimin tonë”, ka deklaruar Rama.
/rtsh.al/