Denoncimi i dy mësuesve: “Strukturat e Ministrisë së Arsimit po na bëjnë presion për të votuar PD-në”
Jonida Tashi
Qeveria po ushtron presion mbi mësuesit për t’i marrë votën, në rast të kundërt ata rrezikojnë të hiqen nga puna. Megjithëse ky fakt është përfolur nën zë nga arsimtarët që kur nisi fushata e zgjedhjeve, dy mësues të shkollës 9-vjeçare të komunës Ndroq në kryeqytet e kanë deklaruar publikisht dje këtë fenomen. Mësuesit deklarojnë se ndihen nën presionin psikologjik të strukturave të Ministrisë së Arsimit për të votuar PD-në në zgjedhjet e 28 qershorit.
Denoncimi
Denoncimin e këtij fakti arsimtarët e kanë bërë përpara Ministrisë së Arsimit. “Jam shumë i indinjuar për shkak të shkeljes së dinjitetit tim si mësues prej mbi 30 vjetësh duke na mohuar të drejtën e votës, lirinë e votës, lirinë e fjalës dhe lirinë e mendimit. Dhunë e fortë psikologjike është ushtruar ndaj nesh, sepse drejtuesit e arsimit na kanë mbledhur dhe na kanë thënë që nëse nuk do të votoni PD-në pas 28 qershorit do t’u rrezikohet vendi i punës. Unë dhe disa shokët e mi kemi kundërshtuar”, - shprehet njëri nga mësuesit, Haki Doku. Sipas tyre, në qoftë se nuk votojnë për Partinë Demokratike pas 28 qershorit do t’u rrezikohet vendi i punës. Por, kërkesa për të votuar PD-në, nuk është e vetmja që mësuesit kanë marrë gjatë kësaj fushate nga eprorët e tyre. Pasi, para kësaj kërkese të vazhdueshme, arsimtarët në vend për të ruajtur vendin e punës kanë marrë pjesë në mitingjet elektorale të PD-së, si dhe kanë nxjerrë lekë nga xhepi për të financuar fushatën. Burimet kanë bërë të ditur se drejtorët e emëruar nga PD-ja në institucione shtetërore në qytete dhe komuna të ndryshme të vendit kanë ndërmarrë fushatë “gjobitjesh” të punonjësve të institucioneve që drejtojnë.
Financimi
Krerët e drejtorive arsimore, që drejtohen nga funksionarë të PD-së, u kanë kërkuar punonjësve që të fusin në një zarf 100-200 mijë lekë të vjetër dhe të kontribuojnë për fushatën e PD-së. Kjo ka qenë kërkesa më e fundit e selive të PD-së veçanërisht në qytete të vogla apo komuna të ndryshme të vendit. Pasi e kanë detyruar administratën e institucioneve lokale të mbushë sheshet gjatë mitingjeve duke braktisur zyrat dhe funksionin në shërbim të qytetarëve, detyrimi më i paprecedent në këtë fushatë është që nëpunësit të zbrazin xhepat. Lajmi bëhet i ditur nga vetë punonjësit e këtyre institucioneve, të cilët kërkojnë të mbeten anonimë për shkak se rrezikojnë vendin e punës.
Megjithëse kërkesa nuk është dhënë në formë urdhri, kjo është zbatuar nga shumica e nëpunësve për shkak se pasojat janë mjaft të qarta: humbasin vendin e punës. Nëpunësit bëjnë të ditur se titullari është treguar i kujdesshëm dhe nuk ua ka mbajtur paratë nga rroga, por ua ka kërkuar në formën e ndihmesës që atyre “u takon” të japin për partinë. Ata bëjnë të ditur se në rast se kjo kërkesë nuk zbatohet, ata pushohen nga puna. Në këtë mënyrë, qeveria i ka marrë mësuesve rritjen e pagës së bërë para pak muajsh.
27 Qershor 2009