E Shtunë, 31 Tetor 2026

ESAT MUSLIU, skulptori i kinemase



Petrika GROSI
Është i pari regjisor shqiptar që ka guxuar të bëjë një film ku denoncohet korrupsioni i një drejtuesi të lartë komunist, siç ishte “Hije që mbeten pas”, duke marrë parasysh edhe rrezikun e përballjes me pasojat nëse filmi do të pritej keq. Po kështu, është i pari regjisor shqiptar që guxon të nxjerrë një femër nudo në breg të detit te filmi “Nata”. Miqtë dhe kolegët e njohin për mbrojtjen pa rezerva që Esat Musliu i ka bërë identitetit shqiptar. E veç filmit artistik, edhe sa i takon dokumentarit, ky regjisor mbetet i suksesshëm, me çmime ndërkombëtare që nuk i mungojnë. Ndonëse i pëlqen të sfidojë mendësitë dhe realitetet e pakëndshme, Musliu mbetet modest dhe i njeh caqe krijimtarisë së tij, duke thënë se nuk mund të shpëtojë krejtësisht nga autocensura kur flitet për skena erotike te filmat shqiptarë.

Me çfarë po merret aktualisht regjisori Esat Musliu?
Kam dy muaj që jam larguar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, ku punova për pesë vjet si specialist i projekteve filmike. Sigurisht, kjo është një dalje në pension dhe tani jam pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, Dega Film dhe Televizion. Katër vitet e fundit nuk e kam pasur të drejtën që të konkurroj për të marrë mbështetje financiare nga Qendra dhe të realizoja ndonjë projekt filmik, pasi isha punonjës i saj dhe nuk më lejohej konkurrimi. Do të çoj një projekt për një film artistik me metrazh të gjatë. Në filmin dokumentar kam qenë më i angazhuar këto 10 vitet e fundit. Kujtoj këtu ciklin “Tunel”, që u transmetua nga Vizion Plusi, për të cilin kam punuar së bashku me gazetarin Fatos Baxhaku. Kemi realizuar rreth 148 filma dokumentarë, të cilat hapën një dritare për këtë televizion. Nëpërmjet tyre ne zbuluam Shqipërinë, eksploruam zona të thella, të panjohura, vende historike, arkeologji, probleme që shqetësonin fshatra e zona të caktuara etj. Nga këta filma kemi paraqitur disa në festivale të ndryshme botërore dhe nuk kanë munguar as çmimet. Dy prej tyre i kemi marrë në Rovereto me dokumentarët “Homo Balkanikus” dhe “Atje ku buron Shkumbini”. Në një festival filmi në Selanik konkurruam dy vjet resht me një film për Apoloninë, si dhe me një dokumentar për kalanë e Lezhës.

Vjet, Qendra Kombëtare e Kinematografisë pezulloi fondet për dokumentarët me pretekstin se cilësia e tyre ka qenë e dobët. ǒdo të thoshit lidhur me këtë?
Qendra nuk e ka prerë këtë fond pasi nuk e ka këtë të drejtë. Ka pasur projekte që nuk i plotësonin kriteret dhe nivelin e kërkuar artistik. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me filmin me metrazh të gjatë. Kur projektet kanë pasur mangësi, por që nuk u mungonin vlerat, u është dhënë afat për t’i përmbushur kriteret e më pas bordi është mbledhur sërish për të vendosur.

Nëse filmat me metrazh të gjatë, pasi mbyllin ciklin e tyre në kinematë dhe festivalet e ndryshme, pastaj i shohim në televizione, dokumentarët duken si fantazma. Pse nuk projektohen këto prodhime që bëhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë?
Kanalet televizive që punojnë në Shqipëri janë rreth 66 të tilla. Pjesa dërrmuese e tyre punojnë me materiale të piratuara, që nga dokumentarët eksplorer, historikë etj. Një pirateri e tillë e dëmton shumë dokumentarin shqiptar sepse ai duhet blerë dhe që të blihet, natyrisht, ka edhe një kosto shitjeje. Në anën tjetër, televizionet prodhojnë vetë, krahas rubrikave, lajmeve dhe emisioneve të tyre, edhe dokumentarë. Me shumë vëmendje unë ndjek ciklin “Ekskluziv”, por mbi të gjitha do të vlerësoja ciklin “Zonë e ndaluar” të Andi Bushatit.

Duket se Kinostudioja nuk e ka përballuar dot konkurrencën televizive, sidomos për dokumentarin investigativ e problemor.
Është e vërtetë. Kjo ndodh sepse që të mbështesë një projekt, QKK-së i duhet mbi një vit kohë. Gjatë kësaj kohe tema problemore mund të jetë zgjidhur dhe aktualiteti i saj ka humbur. Kjo është epërsia e televizioneve. Dokumentarët që ka mbështetur qendra janë në më të shumtën e rasteve të sfondit historik, personazhe etj.

Shohim që shumë nga dokumentarët e regjisorëve të brezit të tretë duken sikur janë të së njëjtës ngjyrë; një libër që shfletohet, diku një qiri që digjet, disa plane dhe një zë që lexon...
Është e vërtetë që ka prodhime të dobëta, por kjo ndodh edhe më shumë me regjisorët e rinj. Gjithsesi, në anën tjetër nuk kanë munguar dokumentarët e mirë të regjisorëve të para viteve ’90, të cilët janë vlerësuar me çmime në festivale të ndryshme jashtë Shqipërisë. Sigurisht, mes kategorisë së regjisorëve të dokumentarit ka dhe një grup që ka mbetur prapa në kohë me ato klishetë e vjetra.

Duke pasur parasysh propagandën që i dëmtonte, a kanë vlera sot filmat dokumentarë të asaj kohe?
Filmi dokumentar, ndonëse në të shumtën e rasteve ka qenë i indoktrinuar dhe me propagandë komuniste, nuk duhet thënë se nuk ka vlera sot. P.sh., në një film për Isa Boletinin, Onufrin, Beratin, apo mbi vlerat muzeale të Gjirokastrës nuk hyn propaganda komuniste.

Megjithatë, nacionalizmi i karakterizon të gjithë këta filma, qoftë i ushqyer nga komunizmi, apo edhe si sëmundje ballkanike.
Fenomeni më i dukshëm në të gjithë popujt e Ballkanit është nacionalizmi. Fatkeqësisht kështu ka ndodhur gjithmonë në Ballkan. Kjo gjë ka krijuar eufori vlerash të qena e të paqena. Ka pasur tendenca për t’i marrë vlerat dhe personazhet e njëri-tjetrit. Një armiqësi e ushqyer mes kombeve do të interpretohej doemos edhe në art e në histori. Nacionalizmin e ka ushqyer diktatura komuniste, por nuk e kanë ushqyer më pak shtetet e tjera jokomuniste. Grekët e kanë dhe sot e kësaj dite të theksuar nacionalizmin duke mos pasur as diktaturë dhe as regjim komunist. Është një luftë e çmendur ballkanike. Para disa vitesh bëra një film për piktorin Omer Kaleshi. Të gjithë përpiqeshin ta tërhiqnin nga vetja duke thënë se ishte piktori i tyre; turqit thoshin është piktor turk, po kështu maqedonasit e shqiptarët në të njëjtën kohë. Histori të ngjashme kemi me figura si Skënderbeu, Nënë Tereza etj.

Ku qëndron, sipas jush, handikapi i filmit shqiptar me metrazh të gjatë?
Aprovimi i parë i projektit, që bëhet pranë QKK-së, kërkon disa vite kohë derisa të gjenden bashkëprodhuesit. Qendra financon veç 40-50 për qind të shumës të një filmi. Mendoj se me futjen tonë në Euro Imazh, filmat do të realizohen shumë më shpejt dhe mundësia e bashkëprodhimeve do të jetë më e lehtë për t’u gjetur.
Nga aplikimet mund të mos fitojë asnjë film shqiptar, ashtu siç mund të fitojnë edhe dy apo tre të tillë. Gjithçka varet nga vlerat e projekteve dhe menaxhimi i mirë i tyre.

Kur ju lindi pasioni për kinemanë?
Kur mbarova Liceun Artistik për skulpturë më lindi pasioni për kinemanë. Kam pasur pedagogë figura të nderuara të artit shqiptar si Nexhmedin Zajmi e Kristina Poliaka, Abduraim Buza, Janaq Paço e Sadik Kaceli. Të gjithë kuadrot që dolën nga klasat e tyre kanë bërë emër në artet figurative. Më pas konkurrova për dramë në Akademinë e Arteve dhe nuk isha i vetmi që mbarova për dramë. Mjaft të tjerë e mbaruan Liceun për artet figurative dhe vazhduan për regji apo për aktrim. Kujtoj këtu Esat Fagun, Muharrem Fejzon dhe Llazi Serbon.

Pse e latë skulpturën?
Sepse u dashurova me kinemanë.

Fillimet në Kinostudio?
Pasi bëmë një kurs dyvjeçar me pedagogë si Viktor Gjika dhe Dhimitër Anagnosti, të gjithë jepnim një provë sa të aftë ishim.
Në atë kohë xhirova dy telenovela; “Zemra që nuk plaken” dhe “Ata ishin katër”. Këto të dyja e bindën drejtuesin e Kinostudios që të më jepte filma të mëtejshëm; “Nata e parë e lirisë”, “Rrethi i kujtesës” “Vitet e pritjes” etj., deri te filmi i fundit “Nata”.

Si u frymëzuat për të bërë filmin “Rrethi i kujtesës”?
Materiali i parë që më frymëzoi për atë film ishte i një filmi dokumentar që duhet të bëja në kampin e Mathuazenit. Në atë vend kishte dhe një kështjellë ku mjekët gjermanë bënin eksperimente mbi trupat e të burgosurve dhe të depërtuarve, të cilët përdoreshin si kavie. Por më mungonte materiali dramaturgjik për filmin. Atë e gjeta te një roman i Diana Çulit. Mendimi për t’i hequr kujtesën njerëzimit është një metaforë e fuqishme që edhe sot mbetet aktuale.

Cilin nga filmat tuaj do të vlerësonit më tepër?
Të gjithë filmat janë si gishtat e dorës; këdo që të më prekësh të dhimbset, megjithatë, si gishtat e dorës është edhe diferenca mes tyre. “Vitet e pritjes”, “Hije që mbeten pas” dhe “Rrethi i kujtesës” janë filmat më të vlerësuar. Madje, filmi “Rrethi i kujtesës” mban rekordin e spektatorëve për atë kohë, me 650 mijë shikues nëpër sallat e kinemave.

Cilët nga aktorët kanë qenë më komodët për të punuar?
Timo Flloko, Xhevdet Ferri, të gjithë ishin të shumë komodë. Sidomos, aktorët e gardës së vjetër qenë të mrekullueshëm dhe në sheshin e xhirimit e konsideronin regjisorin si perëndi, duke i dhënë atij pushtet të plotë. Kam punuar me ta shumë më mirë se sa me të rinjtë. Do të veçoja këtu Stavri Shkurtin, Thimi Filipin dhe Sulejman Pitarkën.

A është mirë apo keq kur improvizon një aktor gjatë xhirimit?
Ndryshe nga teatri, filmi ka një tolerancë shumë më të kufizuar sa i takon improvizimit. Filmi ka një llogaritje perfekte në letër dhe në sheshin e xhirimit, gjithçka që është parapërgatitur duhet që të ekzekutohet gati në perfeksion. Regjisori nuk mund të lejojë që improvizimi t’i përmbysë të gjitha marrëdhëniet që ka skenari me regjinë dhe personazhet me ngjarjet apo njëri-tjetrin. Në film çdo lloj improvizimi mbetet brenda kufijve që vendos regjisori.

Shtypi i huaj e ka ironizuar romancën e kinemasë shqiptare, mungesën e shprehjes së dashurisë dhe të erosit, puthjet në ballë dhe shtrëngimet e duarve... Ju, si regjisor i këtyre filmave, ç’qëndrim do të mbanit karshi kësaj kritike ironike?
Po të shohim kinematografinë e atyre viteve në Shqipëri, ajo nuk është e pasur me erotikë dhe as me skena shtrati. Tabuja e dashurisë që shumë e theksuar. Në anën tjetër, dhe sikur të doje për një çast, censura e komunizmit nuk të lejonte skena të tilla brenda një filmi. Te “Vitet e pritjes” aktorët i kisha çift në role dhe çift në jetën reale. Ishin Xhevdet dhe Rozeta Ferri. Megjithëse atë qenë burrë e grua, nuk mund të putheshin. As që mendohej realizimi i skenave të tjera përtej puthjes në ballë, ndonjë përqafimi apo shtrëngimi duarsh. Kjo gjë vazhdon të jetë e kufizuar brenda mentalitetit të kombit shqiptar edhe sot. Pavarësisht se dolëm nga një diktaturë që ndalonte shumë gjëra, nuk mundemi t’i kapërcejmë disa caqe. Edhe kur nuk është censura, vepron shumë më rreptë autocensura. Mjaft t’ju jap një shembull; kur sheh dy njerëz që puthen në rrugë, këtu komentohet si diçka e shëmtuar, si turp dhe me vete, në atë monologun e brendshëm thua: “Po këta, këtu e gjetën t’i bëjnë këto gjëra?!...” Të vjen keq që kur shikon fqinjët tanë, maqedonas, grekë, serbë etj. dhe vë re se janë mjaft të avancuar në këtë aspekt.

A do të mundoheni ta rregulloni këtë mangësi në filmin tuaj të ardhshëm?
Ndoshta kam qenë i pari regjisor që futa në filmin shqiptar një femër të zhveshur komplet në breg të detit, gjë që edhe vetë e kam parë me pak rezerva. Mentaliteti do kohën e vet që të ndryshojë. Siç ju thashë, nëse dy të rinj përkëdhelen apo puthen në rrugë ne i shohim shtrembër dhe jo me kënaqësi. Madje populli përdor një shprehje tepër jo komode: “të nduken”. Është një folje që përdoret për kafshët dhe duket mjaft fyese për dy të rinj që dashurohen. Ne jetojmë disa breza së bashku, ndaj dhe ndikimi i një gjenerate reflektohet, dashur padashur, te tjetra. Kjo vihet re në jetën e përditshme dhe është lehtësisht e konstatueshme. Vetëm intelektualët e kanë kapërcyer pjesërisht këtë fazë.

A mbani mend ndonjë rast në kohën e komunizmit, kur e kishit punën pisk për shkak të krijimtarisë suaj?
Ishin disa raste. I pari në vitin 1984, me filmin “Hije që mbeten pas”. Kjo për arsye se hidhja dritë për korrupsionin e një drejtori të lartë komunist dhe të familjes së tij. Kam pritur gjatë dhe me zemër të ngrirë që të merrej ndonjë masë për mua. Byroja politike mblidhej dhe i shikonte e para filmat tanë, duke dhënë ose jo, lejen që të shfaqeshin më tej në kinema. Ishte një kinomekanik, i cili shfaqte filmat tanë në Bllok. Bajramin e prisnim si dritën e syve në Kinostudio. Ai përgjonte nga pas dritares së projeksionit se çfarë thoshin udhëheqësit; a u koll njeri, a nxori kush letër që të mbante shënime dhe a doli apo jo ndonjë prej tyre i indinjuar nga salla...? Kur vinte Bajrami në Kinostudio ne menjëherë e pyesnim se si kishte shkuar shfaqja e filmit, por ai nuk tregonte dhe të vërtetën ia thoshte vetëm drejtorit. E kuptova menjëherë se ai film do të kishte probleme atëherë kur më kërkoi drejtori dhe më tha që duhet të bënim disa rregullime. Më hoqën disa skena, ndërsa disa të tjera i mbajta me dhunë.

Çfarë pjese u hoq nga filmi?
Hoqa disa fraza si “vjedhje me kamionë”... Po kështu, nuk më lanë të përmend se në rrjetin e korrupsionit ishin përfshirë edhe ministra. Ato fjali i hoqa. Filmi prapë u vonua dhe shkoi të shfaqej në Bllok. Një ditë Viktor Gjika më thotë papritur që të shkoja të vishja kostumin se do të takonim Ramiz Alinë. Alia na shtrëngoi duart dhe na përgëzoi për filmin. Më vonë u dekorova me Urdhrin “Naim Frashëri” i klasit të parë për atë film.

Po tjetër rast të vështirë keni pasur?
Jam vendosur në pozitë dhe me filmin “Rrethi i kujtesës”. Më akuzuan për deheroizëm, një akuzë mjaft e rëndë për atë kohë. Alfred Uçi më akuzoi në anën tjetër për ekspresionizëm. Filmi u bllokua dhe u shfaq papritur pas pak kohësh. Nuk e di se si. Ndoshta ka ndikuar Viktor Gjika.

A hoqët sërish skena nga filmi?
Jam detyruar të eliminoj skena të tmerrshme në spitalin gjerman, ku doktorët eksperimentonin me njerëzit. Xhirime të mrekullueshme, që ndoshta sot çdo regjisor i huaj do t’i kishte zili, duke i dëshiruar për filmin e tij. I punova me dashuri të madhe dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, por nuk munda t’i shfrytëzoja kurrë. Gjysma e buxhetit të Kinostudios për gjithë atë vit u dha për filmin tim “Rrethi i kujtesës”.

Nuk ka mundësi që këto pjesë t’i shtoni sot në filmin tuaj?
Gjithçka që hiqej nga filmat ekzekutohej më pas në një vend pas Kinostudios, ku digjej gjithçka dhe për ne kjo ishte shumë e dhimbshme. Nuk gjendet më ato xhirime.

Së fundi, a mund të zbuloni diçka mbi filmin që planifikoni të bëni?
Kam një skenar që flet për dhunën në një shtet diktatorial. Ngjarjet nuk zhvillohen sot dhe as në periudhën e komunizmit. Bëhet fjalë për kohën e mbretit Zog. Një qytet që rebelohet, shtypet rëndë, përdhunohet dhe i rrëmbehet identiteti. Dhunimi i individit dhe i kombit është një problem që gjithmonë më ka shqetësuar. Shpresoj që të kem mundësi për ta bërë këtë film.

27 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›