E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncimi i tregtarëve: Na morën peng dhe na torturuan për 10 mijë euro

SHKRUAN: Leonard Bakillari 18-12-2011 10:27

Dy pronarët e një mobilierie në rrugën “Ali Demi”, Aliko Halili dhe Ervin Çullhaj kanë denoncuar një pengmarrje të pazakontë. “Klienti na mbylli në shtëpi, na lidhi dhe drogoi, pasi kërkonte 10 mijë euro”. Prokuroria nis hetimet për zbardhjen e ngjarjes

Tiranë Një denoncim i pazakontë për një pengmarrje të ndodhur një muaj më parë në Tiranë është zbardhur nga policia, edhe pse autori kryesor po hetohet në gjendje të lirë. Pengmarrja dhe më pas torturimi i dy bashkëpronarëve të një mobilierie ka detyruar prokurorinë të kërkojë kontrollin e banesës së një të dyshuari në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet. Historia e ngjashme me skenarin e një filmi triller është konsumuar në katin e tetë të një apartamenti në Tiranë, ky dy pronarët e mobilierisë kishin shkuar për të marrë porosinë e një kuzhine. Por ndryshe nga sa prisnin, Aliko Halili dhe Ervin Çullhaj janë përballur me presionin dhe dhunën e “porositësit”, i cili u ka kërkuar 10 mijë euro. Dy pronarët e mobilierisë kanë pohuar për policinë se janë mbajtur një natë të lidhur në karrige prej kashte dhe u është dhënë qetësues, derisa kanë humbur ndjenjat. Sipas dëshmisë së tyre, ata janë zhveshur forcërisht nga një person me emrin Sandri, i cili u ka lëshuar edhe një qen që mbante në banesë për të ushtruar presion ndaj tyre. Dy të dëmtuarit kanë mundur të lirohen vetëm një ditë pas pengmarrjes, pasi dhunuesi u kishte marrë të gjitha sendet personale dhe çelësat e automjetit të punës. Të dy personat kanë bërë kallëzim në polici, ndërsa oficerët e policisë gjyqësore më 14 nëntor kanë referuar materialet në prokurori për akuzat e “vjedhjes me dhunë në bashkëpunim” dhe “heqjes së paligjshme të lirisë”. Sipas hetimeve paraprake rezulton se Ervin Çullhaj dhe Aliko Halili janë pronarë të një mobilierie në rrugën “Ali Demi” në Tiranë. Në datën 11 nëntor, në dyqanin e tyre ka shkuar një person me emrin Sandri, i cili ka kërkuar të bëjë një kuzhinë si dhe një portmonto për shtëpinë e tij. Pasi kanë lënë një pikë takimi pranë pallatit ku banon shtetasi me emrin Sandri, ata kanë shkuar atje dhe janë takuar me këtë të fundit, i cili ka thirrur në telefon edhe një shokun e tij dhe së bashku janë ngjitur në banesën e tij në katin e tetë të një pallati të ri. Të dëmtuarit tregojnë se sapo kanë hyrë brenda, Sandri ka mbyllur derën dhe i ka lidhur të dy personat me pranga dhe pasi i kanë shtrirë në tokë u kanë bërë kontroll në xhepa duke u marrë të gjitha sendet personale që kishin me vete. Të dëmtuarit kanë treguar për policinë se dhunuesi, së bashku me shokun e tij u kanë kërkuar para duke i kërkuar respektivisht secilit nga një shumë të caktuar. “Konkretisht, shtetasit Aliko Halili i kanë kërkuar 10.000 euro dhe kur ai nuk ka pranuar, shtetasi me emrin Sandër e ka rrahur dhe për më tepër rezulton se është kafshuar nga një qen Rodvailer, të cilin ai e mbante në banesë. Më pas, të dy të lartpërmendurit i kanë zhveshur dhe i kanë lidhur tek disa karrige kashte të ndodhura në papafingo, ku u kanë dhënë ilaçe për t’i vënë gjumë”,- thuhet në dosjen e prokurorisë. Të terrorizuar nga kjo ngjarje, pronarët e mobilierisë kanë treguar se të nesërmen, në datën 12 nëntor, pasi ata janë ngritur nga gjumi, personi me emrin Sandri i ka lënë të lirë duke u marrë sasinë e parave që ata kishin me vete, si edhe çelësat e automjetit, të cilin ata e kishin të punës së tyre. Pas hetimeve të kryera, prokuroria ka mundur të identifikojë një person me emrin Aleksandër T. si autor i kësaj ngjarjeje dhe për këtë arsye i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Tiranës. Çështja vazhdon të jetë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›