Bulqizë, vdes 1 mijë metra nën tokë minatori 50-vjeçar
Bajram Dalipi ka qenë duke punuar në një galeri private, kur një masiv i madh dheu e ka zënë poshtë. Policia shoqëron pronarin e galerisë dhe disa punëtorë për zbardhjen e shkaqeve
Bulqizë Pa kaluar tri ditë nga rifillimi i punës në minierën e Bulqizës, një tjetër minator ka humbur jetën 1 mijë metra nën tokë. Bajram Dalipi, rreth të 50-ve, mbeti në thellësitë e një galerie private në zonën D të Bulqizës, për shkak të një aksidenti. Burime të besueshme thanë për “Mapo”-n se Dalipi punonte në një minierë të licencuar nga Ministria e Ekonomisë, kur mesditën e djeshme, rreth orës 13:00 ka humbur jetën. Mësohet se Dalipi dhe kolegë të tij kanë hyrë si çdo ditë në minierën e kromit, mirëpo rreth mesditës, kolegët e Dalipit kanë nuhatur se galeria po shembej dhe kanë nxituar të dalin prej saj. Ata nuk kanë pasur kohë dhe mundësi të sinjalizojnë kolegun e tyre të dalë nga galeria. “Dëgjuam zhurma në galeri dhe kuptuam se ajo po shembej. I thirrëm me sa fuqi kishim Bajramit dhe vrapuam për të dalë nga miniera. As dritën e ndriçimit nuk e pamë më. Kuptuam se diçka e keqe po ndodhte. Njoftuam pronarin e minierës dhe policinë, pasi e kuptuam se Bajrami kishte mbetur në frontin e punës”, - kanë sqaruar për grupin hetimor punonjës të firmës private. Kjo është një tjetër ngjarje tragjike për minatorët e Bulqizës. Trupi i viktimës është nxjerrë nga galeria pas dy orësh, ndërsa specialistët e RISHM-it kanë mbërritur në Bulqizë katër orë me vonesë, pasi trupi i pajetë i viktimës ndodhej në morgun e spitalit. Burime të besueshme thanë se ngjarja ndodhi të paktën 1000 metra thellësi dhe se policia ka shoqëruar Rr. Deden, pronar i minierës dhe disa kolegë të minatorit, të cilët do të hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë. Problemi i sigurisë në miniera po bëhet çdo ditë e më shqetësues. Vetëm një muaj më parë, minatori Fetah Shehu humbi jetën brenda galerisë 55 të minierës në Bulqizë, për shkak të shembjeve masive të dheut. Ngjarja më e rëndë që shërbeu edhe si pikënisje për një grevë të gjatë të minatorëve të Bulqizës për të kërkuar kushte sigurie, u regjistrua më 18 tetor të këtij viti. Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një pus të minierës së Bulqizës humbi jetën një minator dhe u plagosën 8 të tjerë. Ngjarja e fundit ka shokuar banorët e qytetit të Bulqizës, pasi ajo ndodh në prag të festave të fundvitit, në një kohë që METE njoftoi se janë marrë të gjitha masat për parandalimin e aksidenteve në minierat e Bulqizës. P. HASA