E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti nxjerr në rezervë ish-shefin e Shtabit dhe tre ushtarakë të lartë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 18-12-2011 10:24

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, kreu i Forcave Detare dhe dy gjeneralë të tjerë janë nxjerrë në lirim, me kërkesë të ministrit Imami dhe dekret të presidentit Bamir Topi

Tiranë Katër ushtarakë madhorë që kanë mbajtur poste kyçe në ushtrinë shqiptare janë liruar nga detyra për të qëndruar në rezervë. Presidenti i Republikës ka dekretuar dy ditë më parë nxjerrjen në rezervë pa ndonjë motivacion zyrtar të ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Maksim Malaj, gjeneral Arjan Zaimit, gjeneral Vladimir Qiriazit dhe kundëradmiralit Kudret Çela. Të katër ushtarakët e lartë që kanë mbajtur detyra të rëndësishme deri tani, sipas dekreteve të presidentit do të jenë në rezervë. Sipas burimeve pranë Ministrisë së Mbrojtjes, dekretet e Presidentit janë të bazuar në ligj dhe asnjë prej katër ushtarakëve të lartë të Forcave të Armatosura nuk ka shprehur pakënaqësi për këtë vendim. Duke iu referuar dekreteve të publikuara në faqen zyrtare të Presidencës, rezulton se baza ligjore ku është mbështetur shkarkimi dhe nxjerrja në rezervë e gjeneralëve nuk specifikon ndonjë motiv të qartë. Të katër dekretet e presidentit mbështeten në nenin 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe në pikën 8 të nenit 7 të ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Kjo pikë e nenit i njeh të drejtën Presidentit të Republikës si kreu i Forcave të Armatosura të emërojë, shkarkojë dhe nxjerrë në rezervë ose në lirim, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore. Edhe në këtë rast, baza ligjore ku është mbështetur Presidenti i Republikës ka qenë kjo pikë e nenit që parashikon detyrat e kreut të Forcave të Armatosura. I kontaktuar nga “Mapo”, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Maksim Malaj tha se ky dekret është normal, pasi ai tashmë e ka mbyllur karrierën në radhët e ushtrisë duke mbajtur edhe detyrën e Shefit të Shtabit. Sipas tij, edhe pse ligji e parashikon që pas detyrës së Shefit të Shtabit mund të angazhohesh në radhët e Forcave të Armatosura, në pozicione të ndryshme, ai ka zgjedhur të qëndrojë në rezervë pasi ka arritur majën më të lartë të hierarkisë ushtarake. Por pavarësisht argumentit të ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, tre kolegët e tij të liruar dhe të nxjerrë në rezervë, në momentin e dekretit kanë qenë në ushtrimin e detyrave të ndryshme. Gjeneral Brigade, Vladimir Qiriazi, i shkarkuar nga detyra dhe i nxjerrë në rezervë, deri ditën e djeshme ka mbajtur detyrën e zëvendëskomandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Po ashtu edhe kundëradmirali Kudret Çela, i shkarkuar, mbante detyrën e komandantit të Forcave Detare. Në radhën e gjeneralëve të nxjerrë në rezervë është edhe Gjeneral Major Arian Zaimi, i cili para dekretit të Presidentit mbante detyrën e këshilltarit ushtarak të ministrit të Mbrojtjes. Gjeneral Arjan Zaimi ka qenë gjithashtu dhe një prej kandidaturave potenciale për President të Republikës para zgjedhjes në këtë post të Bamir Topit. Pas këtij dekreti, të katër ushtarakët madhorë do të qëndrojnë në rezervë formalisht me gradat që ata aktualisht mbajnë.

Të shkarkuarit

Maksim Malaj, gjeneral, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm

Vladimir Qiriazi, gjeneral-brigade, zv/komandant i Doktrinës dhe Stërvitjes

Kudret Çela, kundëradmiral, komandant i Forcave Detare

Arian Zaimi, gjeneral-major, këshilltar i ministrit të Mbrojtjes

Maksim Malaj: E kam mbyllur karrierën në Ushtri

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Maksim Malaj tha mbrëmë për MAPO-n se ky dekret është normal, pasi ai tashmë e ka mbyllur karrierën në radhët e ushtrisë duke mbajtur edhe detyrën e Shefit të Shtabit. Sipas tij, edhe pse ligji e parashikon që pas detyrës së Shefit të Shtabit mund të angazhohesh në radhët e Forcave të Armatosura, në pozicione të ndryshme, ai ka zgjedhur të qëndrojë në rezervë, pasi ka arritur majën më të lartë të hierarkisë ushtarake. Ndryshe nga Malaj, tre ushtarakët e tjerë të lartë mbanin aktualisht detyra të rëndësishme në radhët e Ushtrisë, para se me dekret të presidentit Bamir Topi të shkarkoheshin e të dilnin në rezervë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›