E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncimi për ryshfet, "mbyllet" dosja e gjyqtarit

 Trazhgim SokolajDosja penale me akuzën e korrupsionit ndaj ish-gjyqtarit të Elbasanit, Qani Hasa, e hapur me bujë e cila ka shkaktuar edhe pezullimin nga detyra të tij, rrezikon të mbyllet pa fajtor. Vetë gjyqtari ka bërë një padi në Gjykatë, duke iu kundërvënë hetimeve të prokurorisë me ankesën te kolegët e tij gjyqtarë. Në padinë e tij, gjyqtari i Elbasanit ka kërkuar pavlefshmëri të akteve të Prokurorisë në procedimin penal, të hapur për akuzën e korrupsionit. Por ndërkohë që po zhvillon një betejë ligjore me Prokurorinë në Gjykatë, vetë gjyqtari Hasa është pezulluar nga detyra prej gati dy muajsh, me një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky i fundit zbatoi menjëherë kërkesën e bërë nga Prokuroria për heqjen e imunitetit të gjyqtarit, me akuzën se ai kishte ulur dënimin e një personi të arrestuar me lëndë narkotike kundrejt marrjes së një shume ryshfeti. Denoncimi ishte bërë në Prokurorinë e Elbasanit, por për shkak të konfliktit të interesit, dosja u transferua në Tiranë. Para padisë së gjyqtarit në Gjykatë, ku kërkohet pavlefshmëria e dosjes, Prokuroria u gjend përballë një tjetër vështirësie. Personi që kishte denoncuar gjyqtarin, emri i të cilit sipas kallëzimit ishte Ibrahim Hoxha, nuk u gjet në Elbasan dhe as në Tiranë. Burime të Prokurorisë thanë se kanë bërë të gjitha verifikimet dhe besojnë se një person i tillë nuk ekziston. Autorët e kallëzimit duket se kanë përdorur një emër të rremë për të "futur në telash" gjyqtarin e Elbasanit. Ai është akuzuar në padinë penale se ka marrë një shumë ryshfeti për t'i ulur dënimin shtetasit Geron Ocka, që ishte kapur me hashash në Elbasan. Prokuroria kishte kërkuar 10.5 vjet burg për këtë person, ndërsa gjyqtari kishte dhënë një masë dënimi e cila me gjykim të shkurtuar (zbritet 1/3) binte në vetëm 5 vjet burg. Prokuroria tha se ka verifikuar vendimin e dhënë nga gjyqtari dhe rezulton se masa e dënimit të dhënë nga Qani Hasa është brenda ligjit, pasi Kodi penal parashikon për këtë vepër 5-15 vjet burg. Prokuroria tha se pavarësisht pasojave, me pezullimin e gjyqtarit nga detyra, në një kohë kur kallëzimi i bërë ndaj tij nuk po verifikohet dhe rezulton me autor të rremë, heqja e imunitetit të Qani Hasës ishte e nevojshme, pasi në të kundërt nuk mund të kryhej asnjë veprim hetimor, qoftë dhe verifikimi i vërtetësisë së kallëzimit penal të bërë ndaj tij. Gjatë dëshmisë së dhënë në Prokurori nga Qani Hasa, ai ka pohuar se kallëzimi ndaj tij është bërë nga persona dashakeqë, për shkak të detyrës që kryen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›