Trafik kurdësh nga Rinasi,dy në pranga
TIRANE - Një operacion i Antitrafiqeve të Tiranës, i koduar "Rruga e Vjetër", ka vënë në pranga dy persona dhe ka ndaluar 4 shtetas kurdë, që tentonin të kalonin ilegalisht kufirin nga Rinasi drejt Austrisë. Burime nga policia thanë se janë arrestuar gjatë orëve të vona të së mërkurës, 33-vjeçari Bernard Demirlika dhe Valmir Domi, 38 vjeç, si dhe është shpallur në kërkim një vajzë me iniciale K.K., si bashkëpunëtore e tyre. Pas arrestimit të tyre u ndaluan në Aeroportin e Rinasit 4 shtetas kurdë, ndërsa dy të tjerë janë ndaluar javën e kaluar duke tentuar të iknin në drejtim të Kosovës e më pas në Hungari dhe Austri. Burimet sqaruan se Demirlika dhe Domi bënin një marrëveshje me dy shtetas turq, nëpërmjet vajzës së shpallur në kërkim, e cila binte dakord për çmimin e një udhëtimi të tillë dhe më pas sillnin në Tiranë kurdët që kishin si destinacion Austrinë. Për të kaluar në 3 aeroporte të shteteve të ndryshme, deri në mbërritjen në destinacion, të huajt duhej të paguanin nga 6500 euro secili. Pasi merrnin paratë nga vajza me iniciale K.K., e cila kishte bërë marrëveshjen, Bernard Demirlika dhe Valmir Domi, ndërhynin në aeroport, në mënyrë që kurdët të lëviznin me linjën ajrore Rinas-Kosovë-Hungari-Austri.