E Diel, 1 Nëntor 2026

Vranë tregtarin në Sarandë, pranga anëtarëve të "Grupit të Zjarrit"

 SARANDE - Policia e Vlorës zbuloi dhe arrestoi autorët e vrasjes së një tregtari, të ndodhur në vitin 1996. Në kuadër të operacionit të koduar "Zjarri i fikur", në pranga u vunë shtetasit Edvin Kamberaj, 35 vjeç, Shahin Ismaili, 42 vjeç dhe Metush Banushaj, 39 vjeç, që të tre nga fshati Gjashtë, në Sarandë. Një person i katërt është shpallur në kërkim po për këtë ngjarje. Ata akuzohen për vrasjen e tregtarit Jorgo Zisi, më 2 korrik të vitit 1996. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të maskuar autorët kanë hyrë për të vjedhur në lokalin e Zisit, në fshatin Dermish të Sarandës. Sipas policisë, pronari i lokalit është konfliktuar me njërin nga grabitësit duke i hequr maskën. Duke menduar se viktima e kishte identifikuar, i maskuari e ka vrarë Zisin në prani të gruas dhe vajzës së tij. Në lidhje me këtë ngjarje, procedimi penal ka nisur që në vitin 1999, për veprën penale të "vjedhjes në bashkëpunim me pasojë vdekje". Këta persona të vetëquajtur "Grupi i Zjarrit" në vitet 1996-1998 dyshohen se kanë kryer edhe disa vepra penale të tjera të rënda. Ky grup për disa vite ka qenë shumë aktiv në rrethin e Sarandës, ndërsa dyshohen edhe për disa akte krimesh në këtë rreth, si vrasje dhe grabitje.                     q.b.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›