Gjykata: 15 vjet burg Ilir Pajës
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda i dha fund dje shqyrtimit gjyqësor në ngarkim të Ilir Pajës, të akuzuar për "vrasje në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë" ndaj një efektivi policie. Në përfundim, pesëshja gjyqësore e kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti deklaroi fajtor të pandehurin Paja dhe e dënoi atë me 15 vjet heqje lirie. I pranishëm gjatë shpalljes së verdiktit të togave të zeza, i pandehuri Paja e priti qetësisht dënimin, ndërsa një seancë më parë organi i akuzës kishte kërkuar për të dënimin me 25 vjet burg. Përveç akuzës së "vrasjes", Paja akuzohej edhe për "armëmbajtje pa leje". Ngjarja për të cilën Ilir Paja duhet të vuajë 15 vjet burg u shënua më 6 mars të vitit 2008, kur gjatë një operacioni policor për arrestimin e tij, ai plagosi rëndë një nga agjentët e Grupit Operacional Special. Duke ecur me shpejtësi mbrapsht, Paja përplasi agjentin i cili qëndronte mbi një motoçikletë. Në kohën e arrestimit, ndaj Pajës ekzistonte një urdhër-arresti ndërkombëtar për vepra penale të kryera në Gjermani dhe në Itali. Nga autoritetet italiane, Paja ishte "pagëzuar" me nofkën "UFO", pasi kishte mundur të arratisej dy herë nga burgje të sigurisë së lartë. ar.ba