KiE: Hetim zgjedhjeve, jo kutitë
ADI SHKEMBIAsambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pranon kërkesën e Partisë Demokratike për të hetuar zgjedhjet, por pa hapur kutitë e votimit. Me 86 vota pro, 6 kundër dhe 2 abstenim, Asambleja ka miratuar projekt rezolutën e hartuar nga dy raportuesit, Jako Laasko dhe David Wilshire. Por në draftin përfundimtar u pranua një amendament e delegacionit shqiptar sipas të cilit hetimi i zgjedhjeve të bëhet përmes një komisioni hetimor ku të njihet vendimi i gjykatave. Ky propozim u kundërshtua fillimisht nga raporterët, por u pranua pas votimit nga seanca parlamentare. 50 anëtarë të Asamblesë, të cilët morën pjesë në votim, mbështetën amendamentin e Rusmalit, kundrejt 43 anëtarëve që votuan kundër tij. Thirrja për dialogNë të njëjtën kohë Këshilli i Evropës pranon krizën politike në vend, teksa i bën thirrje qeverisë të ngrejë sa më shpejt një komision hetimor për hetimin e zgjedhjeve dhe opozitës të kthehet në Parlament. Në përfundim të seancës parlamentare, në një deklaratë për mediat, Këshilli i Evropës i kërkoi Komitetit të saj Presidencial, Komitetit të Monitorimit dhe dy raporterëve, për të vizituar Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të ndihmojnë rivendosjen e dialogut politik. “Kriza politike ka dëmtuar rëndë politikën shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, me Partinë Socialiste në opozitë, që ka bojkotuar Parlamentin dhe kontestuar legjitimitetin politik të maxhorancës qeverisëse”, thuhet në deklaratën përfundimtare. Për t’i dhënë fund bllokimit politik, Asambleja i bëri thirrje Qeverisë shqiptare për të ngritur, pa vonesa të mëtejshme, një komision parlamentar për hetimin e zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë “Asambleja ndjen keqardhje se mungesa e dialogut parlamentar e ka bllokuar procesin e reformave, për miratimin e të cilave duhen 3/5 e votave dhe shumica nuk i ka, por i kërkon opozitës që të kthehen në Parlament dhe të marrë pjesë plotësisht në punën e saj”. Në projekt rezolutën e miratuar dje, ndër të tjera thuhet se nga mungesa e PS-së në Kuvend është bllokuar edhe përbërja e delegacionit shqiptar, që do të shkojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Asambleja e KE-së shprehet e gatshme për të organizuar një forum, që në bashkëpunim me organizatat e tjera ndërkombëtare të gjejë zgjidhjen e krizës.Debati në AsambleNë seancën parlamentare të Asamblesë, përfaqësuesit e forcave të djathta dhe të majta ishin të një mendje se opozita në Tiranë duhet të lërë bojkotin dhe t’i rikthehet Parlamentit. Ndërkohë ato ndaheshin, për sa i përket etiketimit të situatës politike, si krizë institucionale. “është përgjegjësi e KiE-së të ndihmojë Shqipërinë. PS e Edi Ramës kërkon të marrë atë që populli i mohoi. Shqipëria ka bërë përparim jo vetëm në procesin e votimit, por edhe të numërimit të votave. Dialogu për zgjedhjet nga zoti Berisha ekziston. është e rëndësishme që të pranohen amendamentet. Kriza në Shqipëri është e kufizuar në pallatin e politikës. Në protestën e fundit, Rama nuk arriti të nxirrte në rrugë të gjithë mbështetësit”, tha në seancë Renato Farina, përfaqësues i partisë së Berluskonit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ndërsa sipas Tiny Kox, përfaqësuesi i të majtës “duhet ndihmuar në kalimin e krizës. Funksionimi i institucioneve demokratike është përgjegjësi e qeverisë. Pavarësisht se i kuptoj ankesat e opozitës, ne nuk mund ta pranojmë bojkotin. E kuptojmë problemin tuaj, por stop bojkotit të Kuvendit. Ne mbështesim Presidentin Topi për të negociuar një marrëveshje”. Andreas Gross, kreu i grupit socialist në Asamble, i cili hodhi dyshime katër ditë më parë lidhur me kredencialet e delegacionit shqiptar, tha se në një proces zgjedhor humbësi i zgjedhjeve duhet të kuptojë që i ka humbur ato. Sipas zviceranit, përdorimi i termit ‘krizë’ në projektrezolutë është i justifikuar, ndërkohë që bëri thirrje për një kompromis mes fituesve dhe humbësve. Egidijus Vareikis, përfaqësues i djathtë në këtë institucion, theksoi se “Shqipëria bëri progres të konsiderueshëm në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar. Raporti i OSBE/ODIHR-it thotë se nuk kishte prova për manipulimin e zgjedhjeve”. Ndërsa sipas përfaqësuesit të Aleancës Liberale, francezit Dik Marty “nuk mund të flasim për krizë, por për një krizë të vërtetë. Asambleja duhet të ndihmojë Shqipërinë, por janë politikanët që duhet të zgjidhin krizën”. Diskutimet në seancëRenato Farina (përfaqësues i djathtë): është përgjegjësi e KiE-së të ndihmojë Shqipërinë. PS e Edi Ramës kërkon të marrë atë që populli i mohoi. Shqipëria ka bërë përparim jo vetëm në procesin e votimit, por edhe të numërimit të votave. Dialogu për zgjedhjet nga zoti Berisha ekziston. është e rëndësishme që të pranohen amendamentet. Kriza në Shqipëri është e kufizuar në pallatin e politikës. Në protestën e fundit, Rama nuk arriti të nxirrte në rrugë të gjithë mbështetësit.Andreas Gross (përfaqësues i majtë): Në një proces zgjedhor humbësi duhet të kuptojë që është humbës. Kriza sot është e justifikuar. Ne duhet të bindim për një kompromis mes fituesve dhe humbësve. Andrej Zernovski (përfaqësues i djathtë): Zgjedhjet i përmbushën shumicën e standardeve. Përpjekje të tjera duhen bërë që Shqipëria të përmbushë të gjitha standardet. Dialogu është përkeqësuar, ai duhet të bëhet brenda Parlamentit. Bojkoti nuk e ndihmon procesin e integrimit të Shqipërisë. Tiny Kox (përfaqësues i majtë): Duhet ndihmuar në kalimin e krizës. Funksionimi i institucioneve demokratike është përgjegjësi e Qeverisë. Pavarësisht se i kuptoj ankesat e opozitës, ne nuk mund ta pranojmë bojkotin. E kuptojmë problemin tuaj, por stop bojkotit të Kuvendit. Ne mbështetim Presidentin Topi, për të negociuar një marrëveshje. Egidijus Vareikis (përfaqësues i djathtë): Shqipëria bëri progres të konsiderueshëm në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar. Raporti i OSBE/ODIHR-it thotë se nuk kishte prova për manipulimin e zgjedhjeve. Dik Marty (aleanca liberale): Nuk mund të flasim për krizë, por për një krizë të vërtetë. Asambleja duhet të ndihmojë Shqipërinë, por janë politikanët që duhet të zgjidhin krizën. Strasburgu: Vijmë për gjetjen e dialogut politikDelegacioni i Partisë Socialiste, i përbërë nga Arta Dade, Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj, gjatë qëndrimit dyditor në Strasburg zhvilloi takime me përfaqësues të ndryshëm të të gjitha grupeve politike të Asamblesë Parlamentare, si dhe me sekretarin e Përgjithshëm Mateo Sorinas. Ai u bëri thirrje partive politike shqiptare që të gjejnë gjuhën e përbashkët, duke shprehur edhe gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij në këtë drejtim. “Ajo çfarë ne duam nga forcat politike në Shqipëri është që të tregojnë vullnetin politik për tejkalimin e situatës aktuale. Kjo është më e rëndësishme. Si ta bëjnë këtë? Epo, ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë partitë kryesore politike, që të gjejnë një gjuhë të përbashkët. E dimë që në këto momente pozicionet e secilës parti janë larg kësaj situate, këtë e dimë, por ne do të tentojmë që të arrihet kjo gjuhë e përbashkët, për hir të funksionimit të duhur të institucioneve demokratike në vendin tuaj”, ka deklaruar Sorinas. Sipas tij, Shqipëria është pjesë e familjes evropiane dhe liderët e partive politike evropiane janë të gatshëm të vijnë në Tiranë dhe të ndihmojnë në gjetjen e dialogut politik mes maxhorancës dhe opozitës. “Shqipëria është një nga vendet anëtare, është pjesë e familjes sonë, e cila herë pas here ka probleme, dhe është detyra jonë që ne të kontribuojmë në zgjidhjen e këtyre problemeve. Unë mund t’ju them se presidenti i Asamblesë dhe liderët e të gjitha grupeve politike janë të gatshëm që të vijnë në Tiranë e të hapin një dialog mes forcave politike të vendit tuaj, për t’i dhënë fund kësaj situate. Kjo është e rëndësishme”, ka nënvizuar Sorinas. Ndërsa deputeti socialist, Arben Ahmetaj vlerësoi fjalët e zyrtarit evropian, duke nënvizuar se mesazhi i marrë shkon përtej interesave të PD dhe PS. “Beteja jonë politike këtu ka të bëjë me një gjë më të rëndësishme sesa ajo që përfaqësojmë ne ose PD, ka të bëjë me kalimin e krizës”, është shprehur Ahmetaj.