E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncohet ngadalësimi i negociatave BE-Turqi

Komisioni kryesohet nga ish-presidenti finlandez, fitues i çmimit Nobel për Paqen, Marti Ahtisari, dhe në përbërje ka emra të tillë si ish-kryeministri francez Mishel Rokard dhe ish-komisionerja evropiane Ema Bonino. "Reagimet negative nga Evropa i kanë dhënë Turqisë përshtypjen se nuk është e mirëpritur", shpreh keqardhjen në një raport të botuar në Bruksel  ky komision.     

Turqia ka trokitur në dyert e Evropës që prej 50 vjetësh dhe në 2005-n filloi negociatat me qëllim një pranim të mundshëm në BE, ndërkohë që bisedimet vazhdojnë të çalojnë. Disa vende evropiane, të tilla si Franca, Gjermania dhe Austria refuzojnë pranimin e Turqisë në BE dhe shprehen pro një "partneriteti të privilegjuar".
     
"Pamjaftueshmëria e reformave nga pala turke ka forcuar kundërshtimin e evropianëve për pranimin e Turqisë, ndërsa ndjenja e përjashtimit, që ka ardhur si rrjedhojë e kësaj në Ankara vetëm sa i ka dekurajuar më shumë reformatorët turq", vlerëson komisioni i pavarur mbi Turqinë.  
     
Komisioni bën thirrje që të thyhet ky rreth vicioz, që sipas tij minon sot përparimet e shumta të regjistruara në dhjetë vitet e fundit  nga një Turqi që aspiron për një konvergjencë me BE-në.
     
"Askush nuk mund ta parathotë përfundimin e procesit të pranimit dhe as nëse qëllimi i caktuar është arritur. Dhënia e një shansi Turqisë është çështje kredibiliteti i BE-së, interesi të pastër dhe barazisë së duhur ndaj çdo vendi kandidat për pranim", përfundon teksti.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›