E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncohet një pengmarrje pas konfliktit për pronësinë

Një 35-vjeçar është paraqitur në
polici dy ditë më parë, duke denoncuar
se e kishte marrë peng
një person, por policia mbetet ende në
dilemë, pasi pengmarrësi e ka mohuar
një gjë të tillë, duke deklaruar se thjesht
kishte debatuar me të. Ngjarja ka ndodhur
dy ditë më parë në Tiranë dhe mendohet
se konflikti ka ardhur për arsye pronësie.
Sipas të dhënave policore, Klodian Stavre,
35 vjeç, është paraqitur në polici dhe ka
deklaruar se Ilirian Beqari ishte personi që
i kishte hequr lirinë dhe e kishte dhunuar.
Policia deklaroi fillimisht se nga seksioni
i lirisë së personit, filloi procedimi penal
dhe punohet për kapjen e Ilirian Beqarit,
sepse në orën 11.00, te "Bërryli", pasi është
futur në mjetin e tij tip "Jaguar", i ka hequr
lirinë, ka rrahur e kanosur me fjalë Klodian
Stavren, 35 vjeç, banues në Sauk. 35-vjeçari
ka deklaruar se ngjarja ka ardhur pas një
konflikti mes tyre për çështjen e një banese
të blerë në Durrës. Por, mëngjesin e djeshëm,
Beqari është paraqitur në polici dhe
ka pretenduar se nuk e ka marrë peng dhe
nuk e ka dhunuar. Ai ka shpjeguar, duke
paraqitur edhe dokumentet përkatëse, se
kohë më parë kishte blerë një banesë në
Durrës, por kishte paguar vetëm 15 mijë
euro. Pazaret i kishte bërë me firmën që
e ndërtonte dhe në përfundim do t‘i jepte
edhe dhjetë mijë euro. Por kur ka ardhur
afati, Beqari nuk i ka pasur këto para,
kështu firma i ka shitur banesën Klodian
Stavres. Për këtë, ai kishte kërkuar takim
me 35-vjeçarin dhe ishin takuar në mjetin
e tij. Aty kishin biseduar për këtë problem
dhe nuk kishte bërë ndonjë veprim të
jashtëligjshëm. Në këto kushte, policia tha
se ka kërkuar denoncuesin për të bërë ballafaqimin,
por deri në orët e pasdites nuk
ka mundur ta gjejë. Në këto kushte, çështja
ka mbetur pezull dhe pritet që të sqarohet
me ballafaqimin e dy palëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›