E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni, pranga tre shpërndarësve të heroinës

Tre persona janë vënë në pranga nga
një operacion i antidrogës së kryeqytetit,
ndërkohë që u është kapur
vetëm një sasi e vogël droge. Burimet policore
bënë të ditur se janë arrestuar Alban
Shahini, Klodian Sejfullai dhe Astrit Beka, të
cilët mendohet se shpërndanin heroinë në
disa zona të Tiranës. Sipas policisë, arrestimi
i tyre u bë në rrugën "Ali Demi", pasi ishin
nisur për të shitur një sasi heroine. Nga të
dhënat hetimore mësohet se prej rreth një
muaji kishte nisur hetimi për këta persona,
të cilët dyshoheshin se merreshin me tregti
të lëndëve narkotike. Kështu, policia tha se
i ka mbajtur nën vëzhgim derisa ka bërë
goditjen ditën e djeshme. Në kohën e operacionit,
ata kanë qenë duke lëvizur me një
mjet me targa TR 0078 K, kur janë bllokuar
nga policia. Uniformat blu shpjeguan se
ndalimi i tyre u bë pikërisht rreth orës 12:30
në rrugën "Ali Demi" dhe gjatë kontrollit në
mjetin e lartpërmendur u gjetën 15 gramë
heroinë. Në këto kushte, ata u shoqëruan
në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe
ndaj tyre u mor masa e arrestit. Policia
shpjegoi se 31-vjeçari Sejfullai mendohet
se ishte kreu i këtij rrjeti, ndërsa 33-vjeçari
Shahini dhe 37-vjeçari Beka merreshin me
shpërndarjen e "mallit". Megjithatë, ata
nuk e kanë pranuar akuzën e ngritur ndaj
tyre. Policia ka ushtruar kontroll edhe në
banesat e tyre, por ka qenë e rezervuar në
dhënien e informacionit. Sipas burimeve
zyrtare të policisë së kryeqytetit, vazhdon
operacioni për këtë grup dhe është ende
në proces hetimi. Gjithashtu, mësohet se
Sejfullai ishte person me precedentë të
mëparshëm penalë. Ai është dënuar edhe
një herë tjetër për shitje të lëndëve narkotike,
ndërkohë që ka marrë një tjetër dënim
për vjedhje. Policia tha se ata shpërndanin
lëndën narkotike te zona e "Ali Demit",
pas Pallatit të Kulturës në qendër dhe në
Kinostudio.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›