E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncohet për ryshfet gjyqtari i Matit

 

Fatos Mahmutaj

KLD-ja denoncon në Prokurorinë e Përgjithshme me akuzën për korrupsion gjykatësin e Burrelit Vesel Bako. Burime nga ky institucion pohojnë se denoncimi është bërë zyrtarisht paraditen e djeshme, pak ditë pasi kryetari i Gjykatës së Burrelit i shoqëruar nga kreu i Dhomës së Avokatisë së këtij rrethi janë paraqitur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ku i kanë dorëzuar kreut të inspektoratit një denoncim të bërë nga një qytetar, si dhe një kasetë me pamje filmike, të realizuara nga i njëjti qytetar ku dallohej qartë gjykatësi duke marrë para. Pas kësaj materiali është konsultuar mes anëtarëve të KLD-së, ndërsa është pyetur edhe gjykatësi, i cili ka pohuar se këto para po i merrte borxh. Në një njoftim zyrtar KLD-ja pohonte dje se Inspektorati i Këshillit, i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e fakteve dhe hetimin e të dhënave mbi një shqetësim zyrtar raportuar pranë këtij institucioni ndaj gjyqtarit Vesel Bako.
Njoftimi
"Inspektorati, një pjesë e veprimtarisë ligjore të të cilit konsiston në verifikimin e ankesave ndaj veprimtarisë së togave të zeza, ka administruar një kasetë filmike në të cilën pretendohet se gjyqtari Bako është regjistruar duke marrë ryshfet. Materiali është depozituar pranë KLD-së nga kryegjyqtari i Matit, mbi pretendime nga përfaqësues të avokatisë pranë këtij rrethi", citohet në njoftimin e KLD-së. Po kështu më tej thuhet se nga inspektorati i KLD-së, është urdhëruar verifikimi i ligjshmërisë së veprimtarisë gjyqësore ndaj gjykatësit Bako mbi baza ankimi konkret dhe njëkohësisht, i është nisur për kompetencë dhe për një hetim më të thellë të çështjes materiali i nevojshëm pranë organit të akuzës shqiptare, si autoriteti i vetëm i cili mund të vendosë fillimin e procedimit penal. Çështja për të cilën është denoncuar Bako është gjykuar prej tij rreth një muaj më parë.
Gjykatësi
Vesel Bako, i cili ushtron detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Matit, katër muaj më parë konkurroi për kryetar të këtij institucioni, por nuk arriti të fitonte përballë kryetarit aktual Artan Çupi. Ndërkohë më parë Bako ka punuar si gjykatës në Pogradec dhe prej andej është transferuar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Mat. Tashmë pritet që organi qendror i akuzës të shprehet në lidhje me faktin nëse ka apo jo vepër penale në veprimet e gjyqtarit dhe pastaj çështja në ngarkim të tij të dërgohet për kompetencë vendore në Prokurorinë e Matit apo atë të kryeqytetit. Vetëm pas kësaj, nëse Prokuroria e Përgjithshme konkludon se duhen vazhduar hetimet, atëherë pritet që KLD të mblidhet dhe të vendosë për imunitetin e tij dhe lejimin e organit të akuzës për hetim. Ndërkohë gjatë kësaj kohe pritet që gjykatësi të japë shpjegime rreth kësaj çështjeje, ndërkohë do të pyeten edhe kreu i gjykatës dhe kreu i Dhomës së Avokatisë, të cilët kanë përcjellë në kryeqytet shqetësimin ndaj gjykatësit të akuzuar për ryshfet. 

Të dhënat

Vesel Bako
Ka punuar gjykatës në Pogradec
Aktualisht gjykatës në Mat
Akuzuar: Korrupsion
Denoncuar nga Inspektorati i KLD

Korrupsioni, një prokuror në gjyq

TIRANE - Aktualisht në gjykatën e kryeqytetit po gjykohet prokurori Musa Mulkurti, i Prokurorisë së Kavajës i akuzuar për korrupsion. Ky u filmua nga një qytetar, ku bashkë me avokatin e çështjes kërkuan para në këmbim të një pretence më të ulët. Pas kësaj kaseta me pamjet filmike u transmetua në programin televiziv investigativ "Fiks Fare", çka bëri që organi i akuzës i Tiranës të niste çështjen penale në ngarkim të prokurorit dhe avokatit. Seancën e kaluar të procesit prokurori pohoi se, ishte i pafajshëm dhe se kaseta filmike, e cila konsiderohet si provë decizive në ngarkim të tij duhet të rrëzohej nga gjykata si e jashtëligjshme. Në lidhje me këtë kërkesë pritet që gjykata të shprehet seancën e ardhshme.                             f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›