Tiranë, bie në pranga i kërkuari për trafik droge
TIRANE - Arrestohet 44-vjeçari nga Elbasani, person i kërkuar për akuzën trafik droge. Artur Doka, 44 vjeç, është ndaluar nga Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, ndërsa ishte në kërkim prej më tepër se pesë muajsh. Ndaj tij Gjykata e Tiranës ka dhënë një masë sigurie në mungesë më 23 maj të këtij viti, ku kërkonte sigurimin e tij në arrest me burg. Prangosja e të kërkuarit është konfirmuar dje nga policia e Tiranës, nëpërmjet një njoftimi zyrtar të saj. Sipas policisë, mbi Dokën rëndojnë disa akuza si ajo e "prodhimit dhe shitjes së narkotikëve" në bashkëpunim si dhe të "prodhimit dhe fabrikimit të lëndëve narkotike dhe psikotrope". I arrestuari nuk ka pasur asnjë mundësi për të reaguar, por vetëm se ka pranuar të ndjekë oficerët e policisë së kryeqytetit. Oficerët e Njësisë Operacionale i kanë komunikuar vendimin e arrestit të dhënë nga gjykata, ndërsa në ambientet e policisë së Tiranës i është pohuar akuza dhe është kryer dhe arrestimi i tij.