Keqkuptimi
Edmond Tupja
Çdo ditë e më shumë bindem që në themel të shoqërisë paskomuniste shqiptare qëndron, ndër të tjera, një keqkuptim i përmasave të frikshme. Një keqkuptim që ka të bëjë kryesisht me binomin pozitë / opozitë. Që nga shembja e regjimit ...totalitar tek ne, kam përshtypjen se jam vazhdimisht i pranishëm, si shikues, pa më të voglin dyshim, në një koncert ekolalik në shkallë kombëtare, në të cilin marrin pjesë denjësisht si e majta ashtu edhe e djathta, pavarësisht se këmbehen me njëra-tjetrën kur vijnë në pushtet sipas vullnetit të elektoratit shqiptar. Po shpjegohem:
Ekolalia është një term i leksikut të neurologjisë. Sipas fjalorit Robert 1 (Paris, 2001), bëhet fjalë për përsëritjen mekanike të fjalëve (ose të fundfrazave) të bashkëbiseduesit, gjë që vihet re në disa çrregullime të të shprehurit dhe/ose të të kuptuarit të gjuhës së folur. Kjo dukuri vërehet gjithashtu te fëmijët normalë kur fillojnë të flasin si edhe te subjektet me autizëm. E, pra, kam përshtypjen se kur njëri krah i spektrit politik shqiptar vjen në pushtet, ai sulmohet nga krahu tjetër me të njëjtat shprehje që i përdorte vetë, kur nuk ishte në pushtet, kundër kundërshtarit në pozitë, si për shembull “qeveri e paaftë”, “ministra të korruptuar”, “politika të gabuara” e plot të tjera që nuk po i përmend për të mos e mërzitur lexuesin tim të vëmendshëm e të paanshëm me gjëra që tashmë ai i di gati përmendsh. Kjo ekolali politike po bëhet kaq e bezdisshme saqë ka për të ardhur një ditë kur shqiptarët e tejngopur, madje e tejvelur prej saj, do t’u kërkojnë autoriteteve më të njohura të neurologjisë në shkallë planetare të merren me shqyrtimin më të hollësishëm e më serioz të mundshëm të klasës sonë politike për ta shëruar atë nga ato çrregullime të të shprehurit dhe/ose të të kuptuarit të gjuhës së folur që po e bëjnë atë përherë e më të pakuptueshme për ta. Këtu qëndron pikërisht keqkuptimi historik midis shqiptarëve të thjeshtë dhe atyre që vihen – herë nga njëra palë, herë nga tjetra – në krye të shtetit shqiptar. Një dëshmi e pakundërshtueshme e këtij fakti është edhe shqipja e përçudnuar që përdorin politikanët tanë në fjalimet e tyre, fjalët e huaja të panevojshme, demagogjia e fushkët dhe bombastizmi veshtullor, që, duke vërshuar nga goja e tyre, na ndragin çdo ditë nga foltoret partiake dhe nga mediat elektronike. Një tjetër dëshmi, po aq e pakundërshtueshme, është zhurma që bëjnë militantët e partive përkatëse nëpër mitingje, ku, ndërsa oratorët flasin e flasin, turma e tyre vazhdon e ulërin pa dëgjuar fare se ç’thonë ata.
Por më e rrezikshmja është se kjo ekolali politike po bëhet ngjitëse: njoh shumë të ashtuquajtur intelektualë që, në krizë identiteti gjuhësor dhe jo vetëm të tillë, po imitojnë shpesh e më shpesh të folurën e politikanëve tanë ekolalikë, madje edhe intonacionin e frazave të tyre. (Sa për kujtesë: a nuk iu ngjit, para dhjetë jetësh, “ëëëëë-ja” e famshme e Fatos Nanos shumë prej eksponentëve të Partisë Socialiste e të aleatëve të saj, madje edhe mënyra e tij e të bërit “humor”, pa harruar përdorimin e pavend të fjalëve të huaja?).
Së fundi, por jo më së paku, virusi ekolalik në fjalë po infekton deri edhe fëmijët e moshave të njoma. Kështu, një buzëmbrëmje, tek po kaloja përmes Parkut “Rinia”, dëgjova nja dy-tri vajza të vogla, të cilave po u binin, me sa duket, dhëmbët e qumështit, të përsërisnin, teksa hidheshin me një farë ritmi, “Podhita, opodhita... Podhita, opodhita... Podhita, opodhita...”. Për një çast, përfytyrova një kor si ai i Ushtrisë së Kuqe duke ia marrë shtruar të njëjtit refren dhe, me mendje, e quajta “Kori i Thuthuqëve”: “Podhita, opodhita... Podhita, opodhita... Podhita, opodhita...”. A nuk kemi, edhe në këtë rast, një shembull të përkryer të ekolalisë më tipike?
Uroj, gjithsesi, që të vijë sa më shpejt ajo ditë kur politikanët tanë të të gjitha ngjyrave e zgjyrave, gurrave e qurrave, të ndërgjegjësohen për virusin ekolalik që bartin dhe përhapin, nëse vërtet dëshirojnë të sqarojnë, me veten e me të tjerët, keqkuptimin e përmasave të frikshme që qëndron në themel të shoqërisë paskomuniste shqiptare dhe që, në mënyrë tragjikomike, po i izolon ata nga shqiptarët e zakonshëm.