Pas Alibeajt edhe Nishani kundër Ina Ramës, paditen dy prokurorët e Fazlliç
Dashamir Biçaku
Ministria e Brendshme padit për ndjekje penale prokurorët, që kërkuan nga policia ndalimin e biznesmenit Damir Fazlliç për t’u marrë në pyetje katër ditë më parë. Vetëm një ditë pasi Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë kaluan momentin më problematik në historinë e marrëdhënieve mes tyre, ka hyrë në lojë edhe Ministria e Brendshme. Kjo e fundit deklaroi dje se, do të kallëzojë penalisht një prokuror të Prokurorisë së Përgjithshme, pjesë e zyrës së kryeprokurores Ina Rama, si dhe një zv/prokuror të rrethit Tiranë. Ministria deklaron se, shkelja e prokurorëve konsiston në faktin se përmes telefonit ata kërkuan nga policia ndalimin e një personi të huaj, ndaj të cilit nuk është faktuar ende ndonjë akuzë penale. Sipas kallëzimit të Ministrisë së Brendshme, drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Zamir Shtylla dhe zv/prokurori i rrethit Tiranë, Eljo Mazreku, kanë kryer shkelje të ligjit “Për të huajt”, veprime në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale dhe në atakim me Kushtetutën e Shqipërisë. Lajmi u bë i ditur nga Fatmir Konja, zëdhënës i ministrit të Brendshëm. Pasi konfirmoi edhe njëherë tjetër se policia shqiptare ka mbajtur qëndrim tërësisht ligjor në rastin e 33-vjeçarit nga Bosnja Damir Fazllic, Ministria e Brendshme pohoi se, është duke përgatitur kallëzim për ndjekje penale me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” ndaj Prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Zamir Shtylla dhe prokurorit të Tiranës. Ministria e Brendshme e cilësoi të papranueshëm urdhrin e dhënë në telefon nga dy prokurorët për policinë, të cilës i ishte kërkuar të shoqëronin apo të ndalonin biznesmenin Fazlliç para se të largohej nga Shqipëria. “Konfirmojmë se Policia e Shtetit është e angazhuar të zbatojë me vendosmëri ligjin dhe vetëm ligjin, jashtë çdo nuance politike. Ligjet e vendit dhe ligji i Policisë së Shtetit, ndalojnë rreptësisht zbatimin e urdhrave që vijnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit”, sqaroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.
Shkeljet e prokurorëve
Sipas tij, në rastin konkret, veprimet e dy prokurorëve janë kryer në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit, në nenit 32, pika 1 të ligjit themeltar të shtetit dhe në nenin 308 të Kodit të Procedurës Penale. Ministria e Bren-dshme sqaroi gjithashtu dje se, prokurorët kanë kryer edhe shkeljen e ligjit “Për të huajt” në Republikën e Shqipërisë. “Dy prokurorë, njëri i Prokurorisë së Përgjithshme dhe tjetri z/prokuror i rrethit të Tiranës kanë telefonuar në orën 15:17 shefin e komisariatit të Rinasit e më pas dhe drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kufirit të Qarkut Tiranë, duke kërkuar ndalimin e udhëtimit dhe shoqërimin në ambientet e policisë së biznesmenit me shtetësi britanike dhe boshnjake, Damir Fazllic”, vijoi Ministria e Brendshme. Sipas saj, kjo situatë ka ndodhur në një kohë kur Damir Fazlliç ishte larguar nga Shqipëria në orën 15:04. “Prokurorët në fjalë tentuan përdorimin e policisë për krijimin e një skandali të madh ndërkombëtar me këtë shtetas të huaj”, shtoi Ministria e Brendshme sipas së cilës, ndaj dy prokurorëve do të kërkohet fillimi i ndjekjes penale. Sipas procedurave në fuqi, kallëzimi penal ndaj dy prokurorëve duhet të dorëzohet në zyrën e Kryeprokurores Ina Rama, e cila më pas do të vlerësojë provat dhe faktet dhe do të vendosë për rrugën që do të ndiqet më pas.
Shtylla, zyrtari i hetimit
TIRANE – Njëri nga dy prokurorët e kallëzuar për ndjekje penale nga Ministria e Brendshme është Zamir Shtylla. Ai aktualisht ushtron detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa më parë ka qenë shef i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar. Zamir Shtylla është një nga prokurorët me eksperiencën më të gjatë të punës në organin shqiptar të akuzës dhe aktualisht është një nga zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme, që shfaqet thuajse në çdo aktivitet publik në krah të Kryeprokurores Ina Rama. Sipas hierarkisë në Prokurorinë e Përgjithshme, bazuar në detyrën që mban, Zamir Shtylla konsiderohet si numri dy i akuzës shqiptare pas Prokurorit të Përgjithshëm.
Mazreku, zv/drejtues në Tiranë
TIRANE – Prokurori i dytë i kallëzuar për ndjekje penale nga Ministria e Brendshme është Eljo Marzeku, aktualisht zv/prokuror i rrethit Tiranë. Ai ushtron këtë detyrë prej gati një viti. Rreth një vit më parë, Mazreku mori detyrën e zv/prokurorit të rrethit pas një urdhri të hartuar nga Kryeprokurorja Ina Rama. Më parë Eljo Mazreku ka ushtruar detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Tiranës, ku ka hetuar një numër të madh dosjesh. Rreth një vit më parë, pas vlerësimeve pozitive për karrierën dhe punën e bërë prej tij, Kryeprokurorja Ina Rama vendosi ngritjen në detyrë të prokurorit Mazreku, i cili u emërua zv/prokuror rrethi.
Neni 308, K. Pr. Penale
Ftesa për paraqitje
1. Prokurori fton personin ndaj të cilit zhvillohen hetime të paraqitet kur do ta marrë në pyetje, apo kur do të kryejë veprime që kërkojnë praninë e tij
2. Ftesa për t’u paraqitur përmban:
a) gjeneralitetet ose të dhëna të tjera personale, që vlejnë për identifikim
b) ditën, orën dhe vendin e paraqitjes
c) llojin e veprimit për të cilin është ftuar
d) paralajmërimin se prokurori mund të urdhërojë shoqërim të detyrueshëm në rast mosparaqitje, pa patur pengesë të ligjshme
3. Ftesa përmban edhe parashtrimin e përmbledhur të faktit që rezulton nga hetimet e bëra deri në atë çast
4. Ftesa njoftohet të paktën tri ditë para asaj që është caktuar për paraqitje, me përjashtim të rasteve që për arsye të mundshme, prokurori mendon të shkurtojë afatin
Prokurorët akuzohen me nenin 308, i përdorur për mbrojtje nga Sollaku
TIRANE – Neni 308 i Kodit të Procedurës Penale është rikthyer përsëri në vëmendje, pasi pikërisht në këtë paragraf bazohet një prej akuzave të artikuluara në kallëzimin penal që Ministria e Brendshme ka bërë në adresë të dy prokurorëve. Një nen i tillë ka qenë edhe më parë objekt debatesh dhe diskutimesh për shkak se pikërisht në bazë të këtij neni, ish-prokurori i Përgjithshëm Sollaku akuzoi Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur kundër tij, se e kishte thirrur për të dhënë sqarime për akuzat që i bëheshin në një mënyrë të padrejtë procedurale. Në fakt neni 308 parashikon se në veprimtarinë normale të hetimit, duhet që personi që thirret për të dhënë deklarime të njihet me ftesën tri ditë para se të paraqitet në Prokurori. Sipas juristëve, ligjvënësi me këtë përcaktim ka nënkuptuar se çdo personi që hetohet duhet t’i jepet mundësia që për tri ditë të marrë masa të paraqitjen në organin e hetimit, si dhe të artikulojë mbrojtjen e tij ligjore për akuzat, apo dyshimet që i atribuohen. Pikërisht në bazë të këtij neni, të cilin ish-kryeprokurori Sollaku e citoi rreth një vit më parë në mbrojtje të tij, tani Ministria e Brendshme po akuzon dy prokurorë. Një rast ky kur individët por edhe institucionet i lexojnë me këndvështrime të ndryshme jo vetëm ligjet, por edhe pjesë të veçanta të tyre, për shkak se Ministria e Brendshme radhiti dje nenin 308 të Kodit të Procedurës Penale si një nga pikat ligjore të shkelura nga prokurorët shqiptarë. Ndërkohë mbi bazën e të njëjtit nen, ish-kryeprokurori Sollaku vendosi para një diskutimi të madh një vit më parë, rezultatet e arritura nga Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili sipas ish-Prokurorit të Përgjithshëm, nuk i kishte dhënë atij mundësi për t’u njohur me akuzat që i bëheshin e mbi të gjitha, nuk i kishte mundësuar përgatitjen e garantuar nga ligji për t’u mbrojtur në mënyrë ligjore ndaj shkeljeve që i atribuoheshin.
Akuza në shtetrrethim, dosja në kasafortë
Trazhgim Sokolaj
Tre efektivë të policisë kryenin shërbimin e rojës dje në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa dosja penale e hapur ndaj biznesmenit Damir Fazlliç është mbyllur në kasafortë që në mëngjes. Një ditë pasi inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë tentuan të hynin forcërisht në Prokurorinë e kryeqytetit, drejtuesit e këtij institucioni kanë kërkuar rritjen e numrit të policëve në shërbimin e rojës. Masat e sigurisë kanë shkuar edhe më tej kur drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës ka urdhëruar punonjësin e dezhurnit dhe policinë të mos lejojnë hyrjen e asnjë personi brenda oborrit të institucionit, në rast se prokurorët nuk zbresin nga zyrat për t’i shoqëruar vizitorët dhe për të konfirmuar se nuk janë persona “të padëshiruar”. Nga ana tjetër, kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë, Plator Bilibashi qëndronte tek porta hyrëse jashtë oborrit të institucionit duke mbajtur në duar urdhrin e ministrit të Drejtësisë Alibeaj, me të cilin kërkohej kontrolli i dosjes së Damir Fazlliç dhe ballafaqimi i saj me regjistrin penal ku shënohen të dhënat (kodet) e çdo dosje penale dhe data e nisjes së procedimit. Punonjësit e policisë që kujdeseshin që askush të mos kalonte portën, kishin hequr spaletat e gradave dhe pjesën e uniformës ku shënohet mbiemri i çdo efekti, me qëllim që të mos identifikoheshin. Situata e djeshme në hyrje të Prokurorisë së Tiranës i ngjante rasteve të jashtëzakonshme kur numri i efektivave të policisë rritet, ndërsa hyrje-daljeve u kushtohet një vëmendje maksimale deri në detaje.
Alibeaj anulon urdhrin
Prokuroria e Përgjithshme deklaroi dje se, ministri i Drejtësisë kishte nxjerrë më 10 tetor 2008 urdhrin nr.7241 për kontrollin e procedimeve penale të filluara nga Prokuroria e Tiranës nga data 1 deri më 10 tetor 2008. Pasi inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë dështuan për dy ditë me radhë në zbatimin e këtij urdhri të Alibeajt, ka qenë ky i fundit që dje ka nxjerrë një urdhër të dytë me nr. 7241/2, që anulon të parin dhe zgjeron afatin kohor për kontrollin e procedimeve të filluara nga Prokuroria e Tiranës, nga dhjetë ditë në një muaj. Urdhri i parë i ministrit Alibeaj u konsiderua nga Prokuroria si i paligjshëm dhe antikushtetues, pasi inspektorët nuk mund të njihen me materiale të dosjeve që janë në hetim dhe aq më tepër pa autorizim nga Prokurori i Përgjithshëm. Ndërkaq për urdhrin e dytë të ministrit Alibeaj që kërkon kontrollin e procedimeve të filluara nga Prokuroria e Tiranës muajin e fundit, ku përfshihet edhe dosja “Fazlliç”, Prokuroria tha se, është duke e shqyrtuar atë dhe do të japë përgjigje zyrtare. Nga burime zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë konfirmohet se mbrëmjen e së enjtes, inspektorët e Alibeajt këmbëngulën të hynin në Prokurori deri në përdorimin e forcës për shkak se ishin informuar se në fillimin e hetimeve ndaj Damir Fazlliç kishte një shkelje të rëndë. Sipas informacionit që ata kishin, dosja penale e cila realisht ishte filluar më datë 8 tetor 2008, ishte shënuar mëngjesin e kësaj dite si procedim penal i filluar më datë 7 tetor 2008, pra një ditë para se Damir Fazlliç të vizitonte Tiranën. I ndodhur përballë këtyre informacioneve ministri i Drejtësisë ka tentuar me çdo kusht të verifikonte dosjen dhe dokumentet mbrëmjen e të premtes, kur ende nuk kishte përfunduar afati i flagrancës, për falsifikimin që dikasteri i Drejtësisë besonte se ishte kryer nga prokurorët e kryeqytetit. Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi mbrëmë lajmin e botuar dy ditë më parë në gazetën “Panorama”, sipas të cilit, dy inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë ishin paraqitur në Prokurorinë e Tiranës në orën 19:00 të së shtunës dhe pa paralajmëruar, kishin kërkuar të kontrollonin dosjen “Fazlliç”.
Prokuroria: Fazlliç iku 1 orë para kohe
Prokuroria e Tiranës ka pasur informacion se Damir Fazlliç ishte regjistruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Aviacionit Civil, ku kishte lajmëruar se do të largohej nga Shqipëria me avioni e tij “Charter” në orën 16.30 të datës 8 tetor 2008. Për këtë shkak, Prokuroria shtoi se, kishte depozituar dhe protokolluar në komisariatin e Rinasit ftesën për 33-vjeçarin Fazlliç në orën 15.06 të 8 tetorit, duke menduar se Fazlliç do të kalonte e të ndalohej aty një orë më vonë. Por biznesmeni nuk dihet përse ka ndryshuar axhendën për t’u larguar një orë para afatit që kishte deklaruar në Drejtorinë e Aviacionit Civil ku kishte kërkuar lejen e uljes së avionit të tij privat.
Kërkohet lista e telefonatave të Fazlliç dhe të administratorit
TIRANE – Prokuroria e kryeqytetit sekuestroi dje në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Shoqërive Tregtare dokumentacionin e dy shoqërive, në të cilat biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazlliç, i akuzuar për pastrim parash, është anëtar i grupit mbikëqyrës. Bëhet fjalë për kompanitë: “Rom Petrol Dam Streeam” dhe “Rom Petrol Holding”, qendra e të cilave është deklaruar të jetë në Porto-Romano. Këto shoqëri rezultojnë të disponojnë shuma të mëdha të hollash, ndërsa nuk kanë kryer asnjë veprim me Tatimet, si dhe kapitali fillestar i tyre është regjistruar të jetë nga një milion lekë të vjetra për secilën. Më parë Prokuroria kishte bllokuar edhe dokumentacionin e tre kompanive të Fazlliç të regjistruara në Tiranë dhe që qendra e aktivitetit të tyre ishte shënuar gjithashtu të ishte në Porto-Romano, Durrës, por që realisht nuk ekzistojnë gjëkundi. Hetuesit kanë zbatuar paraditen e djeshme urdhrin e lëshuar nga prokurori i çështjes dhe kanë bllokuar dokumentacionin, që kanë gjetur në QKR, ndërsa pohohet se po kërkohen ende të dhëna në këtë institucion mbi personin e Fazlliç, për të cilin ka të dhëna se është përfshirë edhe në kompani të tjera. Po kështu dje Prokuroria e Tiranës sqaroi se i ishte drejtuar me kërkesë 19 bankave, që operojnë në Shqipëri për të bllokuar të gjitha llogaritë bankare të Fazlliç, si dhe të japin të dhëna të detajuara për transferta të ndryshme që ai ka bërë mes komandove të veta apo me persona të tjerë. Po dje Prokuroria ka nisur të kryejë verifikime të tjera mbi serbo-boshnjakun Fazlliç, si tabulate telefonike në kompanitë celulare dhe atë të telefonisë fikse, si dhe nëpër institucione të ndryshme. fa.ma.
Biznesmeni që shkaktoi përplasjet
TIRANE – Biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç i portretizuar si ndërmjetës i Partisë Demokratike në lidhjen e kontratës së saj me kompaninë “BG&R”, konsulente në fushën e vitit 2005, u shoqërua javën e kaluar në Bosnjë dhe u mbajt për pak orë në polici. Shtypi boshnjak shpërtheu në akuza ndaj biznesmenit për krime financiare ndërsa në Shqipëri ai u konsiderua si personazh me lidhje të ngushta në raport me qeverinë aktuale. Çështja u bë shkak debatesh në Parlament, kurse Fazlliç rezultoi se në shtator të 2005-ës kishte hapur tri biznese në Shqipëri, një nga të cilat është shitur fiktivisht. Fazlliç qëndroi disa orë në Tiranë më 8 tetor, ku dha një intervistë e në largim ai shkaktoi përplasje mes Prokurorisë, që e ftoi të dëshmonte dhe policisë që u akuzua se ndihmoi largimin e biznesmenit.