Funerali i shpresës
Edmond Arizaj
Të dhimbset të shohësh se ku është katandisur sot vendi yt, Shqipëria. Rrëmujë totale, interesa të paskrupullta, shtet i shqyer, njerëz të babëzitur. E mes kësaj turbullire, që s’dihet ende kur do të qartësohet, vijnë edhe tre “ngjarje”, për të qarë e për të qeshur, por që ta shtojnë edhe më shumë dhimbjen për vendin. Flet Nexhmije Hoxha. Normalisht s’thotë asgjë, por shkakton aq bunacë në media, sa nuk e kishte bërë asnjë fjalim i saj në kongreset e kuqe. Audienca e televizionit që zhvilloi intervistën pra ka qenë e lartë. Pra e pamë të gjithë, shumica po. Pse? Mos dyshuam se Nexhmija kishte ndryshuar? Mos vallë pritëm të dënonte komunizmin? Ishim të vetëdijshëm se nuk do të ndodhte asnjë nga këto, por prapë e ndoqëm. Çfarë na shtyu atëherë, nostalgjia apo urrejtja? Gëzimi që e shohim gjallë, apo mëshira për një plakë? Ka shumë pyetje, por vetëm një përgjigje; gazetarja nuk ka pse sulmohet. Ajo e solli Nexhmijen ashtu si është, si ka qenë dhe si do t’i mbyllë ditët e saj. U mbetet të tjerëve, atyre që kanë zëvendësuar Nexhmijen në kongrese të rivendosin sadopak paqen për shpirtrat e atyre që kanë ikur, dhe për trupat e atyre që kanë vuajtur. Ende komunizmi nuk është dënuar qartas në Shqipëri. Ende ish-të persekutuarit nuk janë rehabilituar. Dhe jo për faj të Nexhmijes.
Vjen Fazlliçi. Me “Çarter”. I ftuar nga një televizion. Dhe pa përtesën më të vogël, merr rrugën nga ana e anës, (kur ka ndodhur më parë kjo), enkas për një intervistë shfajësuese. Kush e garantoi se asnjë prokuror nuk do t’i drejtonte ndonjë pyetje përveçse gazetari i paracaktuar? Si pranojnë krerë të lartë të shtetit të quhen miq të një njeriu i akuzuar për transaksione të dyshimta financiare, apo edhe qoftë si person në dijeni për eliminimin e një kryeministri të rajonit? Asnjë dyshim vallë për 50 milionë euro të fituara në Shqipëri për pak kohë? Kaq injorantë janë biznesmenët shqiptarë? Por Fazlliçi nuk shqetësohej për këto euro. Jo. Së bashku me gazetarin shqetësohej për pastrimin e figurave të shtetarëve dhe familjarëve të tyre. Perceptimi në masë pas kësaj “ngjarjeje” ishte: Çdo gjë ka marrë fund. Një i akuzuar, rëndë madje, vjen në Shqipëri me porosi e me garanci, thotë çfarë i pëlqen dhe çfarë duhet, askush nuk e ngacmon, por i hapin dhe derën e makinës, i buzëqeshin, i shtrëngojnë dorën, e përcjellin me dy makina dhe e paraqesin më pas triumfator nga podiumi i Cras Montana. Eshtë i njëjti person që ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Sigurisë së Shqipërisë, së bashku me një të huaj tjetër. Pa nëpërkëmbur dyshimin se është nipi i ish-kreut të UDB-së, çfarë përvoje do të sillte ky person për sigurinë e shtetit tonë? Kush e pranoi në atë mbledhje?
Bojaxhinjtë e natës. Janë ata që po i japin më shumë rëndësi se ç’duhet ditëlindjes së 100-të të Enver Hoxhës. Lyejnë me blu parullat e kuqe. Dhe me këtë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse elektrizojnë më shumë ithtarët që të dalin sërish natën, këtë radhë me bojën e kuqe dhe të rishkruajnë parullat. Nuk mund ta zhbësh me një kovë me bojë Enver Hoxhën. Sepse jo vetëm nostalgjikët, por edhe ata që kanë vuajtur mbi kurriz politikën e tij, e kthejnë kokën shpeshherë pas, madje shumë pas në vite. Çfarë ka bërë ai, i duhet lënë tashmë historisë. Vetë Enver Hoxha i duhet lënë historianëve, e nëse kanë qejf edhe atyre pak apostujve. Aktuales i takojnë të dënojnë fijet e shumta që krijuan një nga diktaturat më të egra në një vend shumë të vogël.
Në këtë shtet të vogël, nuk dihet më tashmë se kur ka qenë diktaturë e kur demokraci. Nuk dihet kur ka qenë më mirë e kur më keq. Nuk dihet kur ke qenë më i sigurt e kur jo. Nuk dihet se kush e drejton vendin realisht dhe kush kërkon ta shfrytëzojë. Nuk dihet se kush prej fqinjëve na duan fqinjësinë e mirë e kush jo. Nuk dihet kush mendon t’i marrë Shqipërisë një brinjë, e kush një veshkë. Nuk dihet se kush fal nga Shqipëria një brinjë e kush veshkën tjetër. Një komedi e madhe, që të bën të qash. Vendi aspirant për në BE e NATO, i vënë përfund nga Fazlliçi. Vendi me 20 vjet demokraci, që përfytet për fjalët e një plake që jeton me kujtime, apo një të vdekuri prej 25 vjetësh. Topitje totale. Verbëri nuk mund ta quash, sepse të gjithë shikojmë gjithçka. Shurdhëri aq më pak. Memecëri jo, sepse të gjithë flasim. Thjesht pajtim me të keqen. Dhe kjo është më e keqja. Funerali i shpresës shqiptare.