E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncohet vjedhja, largohet përgjegjshmëria



Trashëgimi jonë shpirtërore pajiset me “pasaportën” e identifikimit. Procesi i katalogimit të kësaj trashëgimie është treguar dje me një workshop me të rinjtë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Komisioni ndërkombëtar i UNESCO-s në bashkëpunim me Këshillin e Muzikës shqiptare kanë organizuar këtë seminar në kuadër të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë shpirtërore, gjatë të cilit kanë marrë pjesë specialistë të fushës, punonjës të institucioneve kulturore të trashëgimisë shpirtërore, akademikë të institucioneve të ndryshme, por një vend të rëndësishëm kanë zënë edhe të rinjtë. Por siç duket, ky takim më shumë ka shërbyer dhe për të nxjerrë ca “inate” me njëri-tjetrin dhe për të denoncuar atë çfarë ka ndodhur rregullisht në këto 18 vite demokraci, shkatërrimin institucional, mungesën e vullnetit politik për të mbrojtur trashëgiminë kulturore. Nëse moderatori i takimit, muzikologu Vaso Tole, ka mbrojtur dhe ka propaganduar suksesin, kontributin e tij për iso-polifoninë duke u përfshirë në UNESCO, një nga drejtuesit e fondit më të rëndësishëm arkeologjik, Myzafer Korkuti, ka denoncuar institutet për abuzim ndaj arkivave. Korkuti ka deklaruar dje se ka shumë materiale arkivore që hyjnë e dalin “lirshëm”, pasi ajo çfarë parashikon ligji i mbrojtjes së tyre nuk ka gjetur zbatim. “Janë shumë marrëveshje të cilat nisin, por nuk arrijnë të zbatohen deri në fund”, - është shprehur Korkuti, duke shtuar se “ka shumë materiale arkivore të cilat hyjnë e dalin “lirshëm” sepse ajo çfarë parashikon ligji i mbrojtjes së tyre nuk ka gjetur zbatim”.

Ai tregoi gjithashtu se ka pasur shumë raste të shpërdorimit të vlerave, ndërkohë që si një shqetësim tjetër ia ka ngritur edhe lëvizjet e këtyre objekteve si materiale, ashtu edhe shpirtërore në mënyrë të pakontrolluar edhe brenda vendit. “Janë bërë një sërë gërmimesh në Apoloni dhe pas gjetjes së shumë objekteve janë zhdukur menjëherë”, - thotë Korkuti. Kujtojmë se vetë Korkuti në kohën e tij më të keqe si titullar i Institucionit të Arkeologjisë shpesh është akuzuar pikërisht për këto probleme, pa mundur të marrë asnjëherë përgjegjësi. Përcjellja e denoncimeve të tij në heshtje nga auditori i djeshëm, kishte lidhje edhe me rrëfimin se në pazarin e vjetër të Krujës shiten objekte arkeologjike të vjedhura, ashtu sikurse i mëshon si njeri i larë nga të gjitha këto gjynahe se ka indiferencë ndaj pronësisë intelektuale në krijimtari të ndryshme. Ndërkohë që drejtori i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, Izet Duraku, u bën thirrje koleksionistëve privatë për regjistrimin e objekteve, pasi deri tani duke u mbështetur nga lista e vitit 1991, rezultojnë rreth 2100 të tilla të humbura. Gjithashtu, për katalogimin e trashëgimisë shpirtërore kanë referuar edhe Elida Petoshati nga Komisioni Kombëtar u UNESCO-s, Prof. Dr. Drejtore e Institutit të Antropologjisë kulturore dhe studimit të Arteve, Miaser Dibra, ndërsa ky seminar është moderuar nga profesor, dr. Fatmir Hysi, aktualisht në Akademinë e Arteve në fakultetin e muzikës, akademiku Vasil Tole me referencën “Konventa e UNESCO-s për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore”, magjistër Klodian Qafoku dhe Armand Zaçeliume kumtesën “Digjitalizimi i arkivit muzikorë të Institutit të Antropologjisë Muzikore, sipas standardeve ndërkombëtare, arritje dhe risi”, si dhe magjistër Ilir Papagjoni me kumtesën e tij “Database e iso-polifonisë popullore shqiptare”.

S.F

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›