E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzetë etnografikë tani edhe on-line

29/01/2009  Muzeu i Beratit dhe i Krujës pjesë e projektit “Interreg III”

Muzeu etnografik i Krujës dhe i Beratit së fundi janë bërë pjesë e një projekti në kuadër të “Interreg III A” Itali–Shqipëri. Në këtë mënyrë, aktiviteti i tyre vjen më i zgjeruar dhe muzetë mund të shihen në versionin e tyre on-line për herë të parë në disa gjuhë (www.çhnet.eu).

Të mirënjohur për traditën e tyre dhe me vizitorë gjithmonë të interesuar për ta, dy muzetë janë pjesë e atyre gjërave, sadopak të vogla apo jo në numër, për të cilat si shqiptarë mund të krenohemi.

Muzeu etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. Ai është ndërtuar në një banesë karakteristike qytetare të vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së parë. Në mjediset e brendshme si dhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë si dhe i mënyrës së jetesës, duke filluar që 300 vjet përpara. 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare.

Ndërkohë në Berat muzeu etnografik u përurua në vitin 1979. Në të përfshihet kultura popullore etnografike e trevës së Beratit si dhe ajo e Shqipërisë së Jugut. Muzeu është vendosur në një godinë dykatëshe 3-shekullore tipike e trevës beratase. Në katin e parë është ngritur një sallë në të cilën është imituar një rrugicë mesjetare me dyqane tradicionale në të dyja anët e saj. Në këtë sallë është vendosur edhe pavijoni i lashtësisë. Po kështu në katin e parë janë vendosur objekte që janë përdorur për përpunimin e ullirit. Në katin e dytë ndodhet çardaku i hapur për pritje miqsh. Në këtë kat ndodhen me radhë arkivi, tezgjahu, dhoma e pritjes e fshatit, kuzhina dhe dhoma e pritjes e qytetit. Në mjediset e jashtme të muzeut janë vendosur shumë objekte origjinale, masive dhe funksionale të kulturës sonë popullore.

Trashëgimia shpirtërore tani e kataloguar

Flet specialisti i muzikës Vasil S. Tole

Trashëgimia kulturore përbën një këngë, një lloj muzike e veçantë, një vegël muzikore apo epos i traditës. Të gjitha këto përfshihen në atë grup të cilësuar si trashëgimi shpirtërore e është menduar që të gjitha të katalogohen e të ruhen nëpërmjet dixhitalizimit.

Një nismë e Këshillit të Muzikës Shqiptare në bashkëpunim me Komisionin Kombëtar të UNESCO-s, punës për katalogimin e tyre i është kushtuar një uorkshop i veçantë, i pari i këtij lloji në Shqipëri.

“Katalogimi i trashëgimisë kulturore shpirtërore” është mbajtur dje në sallën e Muzeut Historik Kombëtar. Në uorkshop merrnin pjesë specialistë të fushës, punonjës të institucioneve kulturore të trashëgimisë kulturore në qendër dhe në bazë, studentë dhe të interesuar të fushës së trashëgimisë kulturore shpirtërore. Gjatë uorkshopit referuan akademiku Vasil S. Tole: “Konventa e UNESCO-s për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore”; magjistër Klodian Qafoku dhe Ma. Armand Zaçeliçi: "Dixhitalizimi i arkivit muzikor të Institutit të Antropologjisë Muzikore sipas standardeve ndërkombëtare, arritje dhe risi", ndërsa Ilir Parangoni prezantoi punën e bërë deri tani për hartimin e databases së isopolifonisë popullore shqiptare. Një punë që fillon me dixhitalizimin e veprave të ruajtura deri tani në shirit, për të vijuar me vlera të tilla që duhet të shpallen kryevepra të trashëgimisë botërore. “Është detyrimi i shtetit për të krijuar dhe shpallur listën e kryeveprave botërore”, - vëren specialisti Vaso Tole, ndërsa specifikon se ka 4000 monumente materiale të tilla të tipit kala, kisha, xhami, që duhet të bëhen pjesë e procesit. “Duhet të funksionojë Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Popullore, i cili ka me tagër e me ligj për të shpallur listën e kryeveprave shpirtërore”, - vijon Tole.

Siç dihet, katalogimi i vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore është një fushë e re pune për trashëgiminë kulturore shqiptare. Ligji “Për trashëgimisë kulturore”, i ndryshuar, parashikon krijimin e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore, i cili ndër të tjera duhet të shpallë edhe listën tonë të kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore, kjo krahas listës së monumenteve të kulturës materiale, e cila tashmë ekziston prej vitit 1948. Detyrimet për thellim të mëtejshëm në fushën e katalogimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore rriten pas shpalljes së isopolifonisë popullore shqiptare si kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit - UNESCO , e në mënyrë të veçantë pas ratifikimit që Shqipëria i bëri konventës së UNESCO-s “Për trashëgiminë shpirtërore” në vitin 2006, ku parashikohet edhe hedhja e hapave konkretë për katalogimin e trashëgimisë shpirtërore.

- ǒështë projekti i dixhitalizimit dhe çfarë përfshin ai?

- Projekti i madh i dixhitalizimit të Arkivit të Institutit të Kulturës Popullore ka disa komponentë. I pari është që arkivat ekzistuese, që janë në shirit, të bëhen në dixhital, të formatohen në një mënyrë që të ketë akses publiku dhe problemi tjetër i madh është detyrimi i shtetit për të krijuar dhe shpallur listën e kryeveprave botërore, siç kemi 4000 monumente materiale, kala, kisha, xhami. Të funksionojë Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Popullore, i cili ka me tagër e me ligj për të shpallur listën e kryeveprave shpirtërore. Kemi jo pak vlera të tilla shpirtërore, si kabaja, eposi i kreshnikëve apo vegla me status të veçantë. Qendra Kombëtare e Inventarizimit, duke pasur parasysh listën e kryeveprave e duke i konsideruar si objekte kulturore, ka detyrim që të katalogojë dhe dizhitalizojë çdo gjë që lidhet me këto gjëra. Kabaja, për shembull, do të ketë statusin e kryeveprave që duhet të dixhitalizohen kudo që janë. Kështu, do të hidhen të dhëna me ata që i kanë interpretuar, foto, vegla që janë përdorur. Por nuk mund të futesh në terren kot, por t’i detyrohesh ligjërisht asaj që shpallet si kulturë, sepse ka fenomene që nuk mund ta gëzojnë statusin e kryeveprës së trashëgimisë kulturore.

- Për vetë mënyrën e ruajtjes së këtyre vlerave deri tani, ka nga ato që kanë humbur apo nuk vijnë si duhet sot?

- Nuk besoj se kemi humbur, të paktën në Arkivin e Institutit të Kulturës Popullore, por nuk dimë se çfarë bëhet në qendrat kulturore, arkivat në ish-shtëpitë e kulturës, të cilat falë kësaj teknologjie mund të transferohen dhe të kemi arkiva dixhitale dhe në rajone.

- Cilat do të jenë përfitimet direkte edhe të njerëzve të interesuar për studimin e këtyre vlerave?

- Ky seminar i parë ngacmon që “katalogim” nuk do të thotë vetëm ruajtje, por akses i gazetarit, i studiuesit, i të riut, të hyjë në arkiv e të daunlodojë një këngë, një kaba të traditës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›